OEMVP e padrejtë ndaj mediave që e kanë mbështetur me vite
Gazetarja e ekonomisë, njëherësh redaktore e emisionit “Ekonomia” në Radio Shkupi, Hatixhe Ismaili, ka reaguar ndaj qasjes selektive të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), e cila gjatë shënimit të jubileut të saj të 20-të nuk e ka përfillur median që për vite me radhë ka qenë mbështetëse e aktiviteteve të saj.
Ismaili thekson se në kohën kur askush nuk i kushtonte vëmendje kësaj organizate, madje kur disa media e kundërshtonin dhe e sabotonin, Radio Shkupi ishte mediumi që e priti me dyer të hapura dhe i dha hapësirë të vazhdueshme.
Në vijim reagimi i plotë i gazetares së ekonomisë, Hatixhe Ismaili:
“Kur shumë dyer ishin të mbyllura për Odën, Radio Shkupi e mbajti derën gjithmonë të hapur.
Me rastin e 20-vjetorit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, dua të shpreh urimet e mia të sinqerta për këtë jubile të rëndësishëm.
Por, njëkohësisht, nuk mund të mos kujtoj vitet e para të saj. Në kohën kur Oda po hidhte hapat e parë, shumë dyer ishin të mbyllura. Kishte media që nuk e mbështetën, madje edhe e kundërshtuan ekzistencën dhe misionin e saj.
Në ato kohë, Radio Shkupi ishte ndër të paktat media që e mbajti derën gjithmonë të hapur. Pa hezitim, me profesionalizëm dhe përkushtim, ajo përcolli aktivitetet, iniciativat dhe sfidat e Odës, duke qenë pranë saj kur kjo mbështetje kishte më së shumti nevojë.
Prandaj, është e vështirë të kuptohet se si sot vlerësohen ata që dikur qëndruan anash, ndërsa harrohen ata që ishin pranë që nga fillimi.
Megjithatë, Odës i uroj suksese të mëtejshme dhe shpresoj që në të ardhmen të mos harrohen ata që i qëndruan pranë kur rruga ishte më e vështirë.”