OKH Merhamet përmbyll Ramazanin me mijëra ndihma për familjet në nevojë
Organizata humanitare OKH Merhamet ka bërë publik bilancin e aktiviteteve të realizuara gjatë muajit të bekuar të Ramazani, duke theksuar angazhimin e saj në mbështetje të familjeve në nevojë në disa qytete të vendit.
MARKETING

Sipas njoftimit, aktivitetet janë zhvilluar në Shkup me rrethinë, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Manastir, duke përfshirë një sërë projektesh humanitare dhe sociale.
Në bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, organizata ka arritur të realizojë:
✅ 3,340 pako ushqimore për familjet në nevojë
✅ 200 kupona ndihme për familjet më të rrezikuara
✅ Veshmbathje për Bajram për 50 fëmijë
✅ Iftare për mbi 1,000 persona në qytete të ndryshme.
Përveç ndihmave materiale, gjatë këtij muaji janë organizuar edhe aktivitete me karakter fetar dhe social, si shpërndarja tradicionale e hurmave në fillim të Ramazanit, Kuizi i Diturisë Islame, si dhe mukabeleja – aktivitete që tashmë janë bërë pjesë e pandashme e këtij muaji. Gjithashtu, janë shpërndarë dhurata për esnafët dhe kalimtarët në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Nga OKH Merhamet theksojnë se këto aktivitete nuk përfaqësojnë vetëm shifra, por histori konkrete të familjeve të ndihmuara, tryeza të mbushura dhe buzëqeshje të rikthyera.
Ky angazhim është bërë i mundur falë bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë si: Turk Kızılay (Gjysmë Hëna e Kuqe Turke) Hak-İş – Turqi, IHH Turqi, IHHNL – Hollandë, Wefa – Gjermani, Hayrat – Turqi dhe Fondacioni i Rinisë Islame – Zvicër.
Në fund, organizata ka shprehur mirënjohje për të gjithë aktivistët dhe kontribuesit, të cilët mundësuan që ndihmat të arrijnë tek përfituesit në kohë.