Oklahoma Siti nuk e lëshon kreun, Lejkers “deklason” Minesotën
Gara për vendin e parë në Konferencën e Perëndimit në NBA sa vjen e bëhet më interesante. Oklahoma Siti e mbron kreun pas fitores bindëse në shtëpi 124-93 ndaj Memfis. Vet diferenca e pikëve tregon për dominimin e vendasve, ku spikati dyshja Shai-Uallas, që realizuan 45 së bashku, duke i bërë të pavlefshme 30 pikët e Xhekson për miqtë.
Ishte fitorja e tretë radhazi për Oklahoma-n, por vetëm një hap larg është Denverit, që e kërcënon për vendin e parë. Minesota, e cila kryesoi bindshëm për muaj të tërë, tashmë ka rënë në vendin e tretë. Kjo sepse humbi në Los Anxhelos ndaj Lejkërsit, me këta të fundit që fituan 120-109 dhe ngjiten në vendin e nëntë.
Për ekipin kalifornian rikthimi i Lebron Xhejms pati ndikim të madh, i cili ishte shënuesi më i mirë me 29 pikë, i ndihmuar nga Dejvis me 27 pikë dhe 25 kërcime.
Ndërkohë, humbet ekipi tjetër i Los Anxhelosit, ai i Klipers. Ishte Millouki Baks që i mposhti 124-117, një ndeshje me rivalitet shumicën e kohës, ku miqtë bënë diferencën në fillimin e pjesës së dytë. Lillard me 35 pikë dhe Antetokonmpo me 34 bënë diferencën në fushë për Miloukin, skuadër pretendente në Lindje.