
Orkestra e Perimeve të Vjenës thyen një rekord botëror duke luajtur me ushqimin
Orkestra e parë – dhe ndoshta e vetmja – në botë që krijon muzikë ekskluzivisht nga instrumente të bërë prej perimesh u shpërblye me një rekord Guinness pasi dha 344 koncerte gjatë 27 viteve.
Orkestra prej 11 anëtarësh, e quajtur Vegetable Orchestra, u formua në Vjenë, Austri, në vitin 1999, kur muzikantë me prejardhje të ndryshme u bashkuan me idenë për të gdhendur perime në instrumente muzikore.
“Çdo gjë nisi si një shaka”, tha anëtari themelues Matthias Meinharter për BBC në vitin 2019.
Ai tregoi se katër anëtarët themelues ishin regjistruar për një festival arti performues në Vjenë.
“Po mendonim se çfarë mund të bënim dhe na erdhi një ide: ‘Cili do të ishte objekti më i vështirë për të krijuar muzikë?’” tha ai dhe shtoi se “ishim duke gatuar supë në atë moment dhe një ide çoi në një tjetër”.
Performuesit tani e kanë përsosur artin e të luajturit me ushqimin. Instrumentet e tyre përfshijnë karota të gdhendura në formë fyellit dhe preshë të kthyer në mandolina.
Orkestra u shpërblye me rekordin Guinness për numrin më të madh të koncerteve të mbajtura nga një orkestër perimesh, pasi dha koncertin e saj të 344-të.
Muzikantët thanë se ata gdhendin perime të freskëta para çdo koncerti, pasi instrumentet e tyre zgjasin vetëm rreth 6 orë para se të kalben ose të humbasin formën.
Çdo perime e papërdorur shndërrohet në supë dhe shërbehet gjatë koncertit, ndërsa instrumentet e përdorura kthehen në mbetje organike për të ruajtur aspektin ekologjik të shfaqjeve.
Orkestra i tha Guinness World Records se vetëm një pyetje është e ndaluar gjatë koncerteve të tyre: të pyeten nëse muzikantët janë vegjetarianë. /Telegrafi/