
Osmani: Çairi nuk është komunë, por bankomat për aktivistët partiakë!
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka ngritur akuza të rënda ndaj pushtetit aktual komunal, duke e cilësuar si abuzim flagrant me mjetet publike.
“Ky fakt është trishtues, realisht. Sipas të dhënave nga open finance, vetëm në korrik janë nënshkruar 720 kontrata, secila deri në 50 mijë denarë, për persona që nuk punojnë, por shërbejnë si aktivistë partiakë dhe sulmojnë kundërshtarët politikë në rrjetet sociale. Nëse llogarisim një mesatare prej 30 mijë denarësh për kontratë, dalin rreth 350 mijë euro në muaj,” deklaroi Osmani.
Ai shtoi se me ato mjete mund të ishin realizuar projekte konkrete për qytetarët:
“Paramendoni, 350 mijë euro në Gazi Babë, në Serovë, në Dizhon… çdo muaj një lagje tjetër do përfitonte. Por në vend të kësaj, paratë e qytetarëve shkojnë për mbajtjen e partisë.”
Osmani theksoi se gjendja në Çair është pasojë direkte e kësaj politike të keqpërdorimeve:
“67% e buxhetit të komunës shkon për rroga, ndërsa me pjesën tjetër mbajnë partinë. Sepse kanë formuar parti të re, dhe tani qytetarët detyrohen ta financojnë atë.”
Ai premtoi se me marrjen e mandatit do të ndërmarrë hapa urgjentë:
“Që ditën e parë do t’i revidojmë të gjitha këto kontrata. Do të mbeten vetëm ata që realisht punojnë. Çairi nuk do të jetë më sponsor i partive politike, por do të jetë komunë që punon për qytetarët.”