
Osmani: Kërkojmë rezultat pozitiv ndaj ekipit më të mirë sllovak
Të mërkurën Struga Trim Lum do të zhvillojë takimin e parë kundër Sllovan Bratisllavës, ndeshje kjo e vlefshme për turin e parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve. Ekipi strugan u akomodua në kryeqendrën sllovake të Bratisllavës dhe të martën në orën 19:00 zhvilloi stërvitjen e vetme zyrtare në stadiumin “Tehelné Pole”. Struga Trim Lum aventurën e dytë në Ligën e Kampionëve do të nis nga Bratisllava, aty ku do të përballen me kampionët e Sllovakisë, Sllovan Bratisllava.
“Neve gjatë periudhës së përgatitjeve jemi munduar që sa më të gatshëm të presim këtë ndeshje. Me punën që kanë bërë lojtarët, por edhe ndeshjet miqësore, besoj se neve jemi të gatshëm për ndeshjen e nesërme.” – u shpreh trajneri Qatip Osmani, i cili në vijim të prononcimit të tij para gazetarëve sllovak.
Trajneri Osmani pranoi se luajnë ndaj ekipit më të mirë nga Sllovakia, Sllovan Bratisllava, një skuadër kjo me traditë, dhe që pas vetes numëron 14 tituj kampion, 6 prej të cilëve në 6 vitet e fundit.
“Bëhet fjalë për ekipin më të mirë në Sllovaki, një klub me traditë dhe rezultate shumë të mira, ashtu që neve maksimalisht e respektojmë Sllovan Bratisllavën. Neve jemi munduar të analizojmë lojën e skuadrës së Sllovan Bratisllava përmes ndeshjeve miqësore që kanë pasur, edhe ndeshjet e fundit në kampionat. Jemi të vetëdijshëm se krejtësisht ndryshe mund të na dalin në fushë, për shkak disa lojtarëve që i kanë pasur në kampionatin Evropian.” – u shpreh trajneri Osmani, duke aluduar në dyshen e futbollistëve të përfaqësueses sllovake, mesfushorit Juraj Kuçka dhe sulmuesit, David Strelec.
“Ata lojtarë gjithsesi se janë të njohur në skenën ndërkombëtare për shkak karrierës që kanë bërë, duke luajtur në Ligat Europiane, ashtu që sigurisht që ato ndeshje që i kemi parë pa prezencën e tyre, ashtu që dalja e tyre në terren nesër, mund të ndryshojë lojën e tyre.” – theksoi trajneri Qatip Osmani.
“Ne jemi plotësisht të fokusuar në ndeshjen e nesërme, që të arrijmë një rezultat të mirë, një rezultat pozitiv, i cili do na jepte një shpresë për ndeshjen e kthimit.” – përfundoi Osmani.
Ndeshja midis Sllovan Bratisllava dhe Struga Trim Lum zhvillohet në stadiumin “Tehelné Pole” në Bratisllavë, në ora 19:00.