Osmani: Kërkojmë rezultat pozitiv, për raundin e dytë në Champions
Të mërkurën në Ohër, Struga Trim Lum do të mirëpret skuadrën e Sllovan Bratisllava, në sfidën kthyese për turin e parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve. Vendasit zhvilluan edhe përgatitjet e fundit në prag të përballjes kthyese me ekipin sllovak, ndërsa para gazetarëve u shfaqën trajneri Qatip Osmani dhe sulmuesi Besart Ibraimi.
“Ne gjatë javës i kemi analizuar gabimet tona që i bëmë në ndeshjen e parë kundër Sllovan Bratisllava në transfertë. Pikërisht gjatë stërvitjeve të kësaj jave kemi punuar që mos të na përsëriten të njëjtat edhe në ndeshjen e nesërme. Konstatimi ynë si staf, ishte se kishim periudha ku neve ishim dominues, por gjithashtu kishte periudha, ku neve nuk ishim në nivelin e duhur, sidomos në fundin e lojës, kur edhe u thye rezultati” – u shpreh fillimisht trajneri Osmani.
“Kemi biseduar edhe me lojtarët, tek të cilët pash një energji pozitive. Edhe përkundër dy golave minus që kemi, besojmë se ata nuk janë të pakalueshëm. Mendoj se diferenca prej dy golash mund të arrihet. Që të gjithë në klub jemi optimist, ashtu që presim të japim maksimumin dhe të arrijmë atë rezultat pozitiv. Kur them pozitiv, mendoj në atë rezultat që do na mundësonte të kalojmë këtë raund” – përfundoi trajneri Qatip Osmani.
Besart Ibraimi, autorë i dy golave nga ndeshja e parë në Bratisllavë, edhe pse e pranon që Struga Trim Lum do ta ketë të vështirë, pas rezultatit nga ndeshja e parë, por ai beson fuqishëm në një rezultat pozitiv, duke shpresuar që këtë herë edhe fat sportive të jetë me skuadrën strugane.
“E kemi analizuar mjaft mirë ndeshjen e kaluar në transfertë kundër Sllovan Bratisllava, ashtu që këtë herë besojmë të mos përsërisim gabimet e njëjta, por që ti minimalizojmë ato dhe të shpresojmë që këtë herë edhe fati do të jetë në anën tonë. Pavarësisht dy golave disavantazh, neve besojmë fuqishëm në një rezultat pozitiv, edhe pse do ta kemi të vështirë” – u shpreh Besart Ibraimi,
“Ne sulmuesit jemi këtu për të shënuar. Kuptohet që si sulmues mundohemi të shënojmë në çdo ndeshje, mirëpo them lirisht se më e rëndësishme në këtë moment, është që të arrihet objektivi i skuadrës, e që pa dyshim se është kalimi në turin tjetër”.
Ndeshja e parë në Bratisllavë u mbyll me shifrat 4:2 në favot të kundërshtarit, teksa që të dy golat i realizoi vetë Ibraimi, që njëherit mban edhe epitetin e golashënuesit më të mirë në garat europiane nga futbollistët vendor. Ai numëron plotë 28 gola, 9 prej të cilëve me Struga Trim Lum. Ndeshja e nesërme kundër Sllovan Bratisllava do të jetë ndeshja e 10-të jubilare, që Ibraimi do ta zhvillojë me fanellën e skuadrës tonë, ku deri më tani ka shënuar 9 gola, nga po aq ndeshje.
Ekipi fitues në raundin e dytë eliminatorë të Ligës së Kampionëve do të përballet me kampionët e Sllovenisë, NK Celje, që edhe në ndeshjen e kthimit mundi kampionët e Estonisë, Flora Talin. Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe Sllovan Bratisllava do të luhet në stadiumin e qytetit në Ohër, në orën 17:00.