
Osmani: Më 19 tetor vendosim nëse shqiptarët do të jenë popull shtetformues apo pakicë e parëndësishme
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të një pyetjeje nga gazetarët dha një mesazh të fuqishëm për peshën historike të zgjedhjeve të ardhshme. Ai e krahasoi 19 tetorin me 13 gushtin e vitit 2001, datën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila ndryshoi historinë e shtetit dhe hapi një kapitull të ri për shtetformimin e popullit shqiptar.
“19 tetori është 13 gushti i dytë. Sepse më 13 gusht u ndryshua historia e shtetit. Nga një komunitet i shtypur, i përjashtuar, i nënvlerësuar, i shpërfillur dhe i lënë jashtë vendimmarrjes, 13 gushti hapi një kapitull të ri për krijimin e parë të statusit shtetformues të popullit shqiptar,” deklaroi Osmani.
Ai paralajmëroi se politikat e qeverisë aktuale nënkuptojnë kthim në gjendjen para vitit 2001. Me shfuqizimin e balancuesit, shqiptarët janë shndërruar në të padukshëm në institucione, pa zë dhe pa mundësi për të vendosur për të ardhmen e tyre.
“Shqiptarët janë kthyer në zero në institucione. Shqiptarët sot nuk kanë më të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre,” tha Osmani, duke theksuar se kjo është përpjekje për anulimin e përfitimeve të Marrëveshjes së Ohrit.
Në këtë kontekst, Osmani vuri në dukje rëndësinë e bashkimit të madh politik të partive dhe qytetarëve shqiptarë, më i gjëri që nga viti 2001, si reagim ndaj procesit të poshtërimit dhe fshirjes politike të shqiptarëve.
“Qytetarët më 19 tetor do të vendosin nëse do të legjitimojnë politikën e anulimit të 13 gushtit. Ky nuk është vetëm një votim lokal për kryetarë komunash, kjo është një zgjedhje për statusin e shqiptarëve si popull shtetformues,” shtoi Osmani.