Osmani: Mediat nacionale maqedonase po bojkotojnë punën e kryeministrit të parë shqiptar
Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka akuzuar se mediat nacionale terestriale maqedonase janë duke bojkotuar punën e kryeministrit të parë shqiptar. Osmani, thotë se është duke u zhvilluar një fushatë agresive ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
“Si asnjëherë më parë në historinë e këtij shteti, mediat nacionale terestriale maqedonase bojkotojnë aktivitetet e Kryeministrit të parë shqiptar, madje që nga dita e emërimit të tij. Bojkotojnë edhe aktivitetet e ministrave të BDI-së dhe të vetë partisë!
Për më tepër, nga të njëjtat, jemi dëshmitarë edhe të një fushate agresive, nga qendra të ndryshme të vendosjes, edhe kundër Kryetarit Ali Ahmeti.
Së fundmi, përmes liderit të VMRO-DPMNE-së, kanë futur në këtë valle edhe Presidentin serb, Vuçiq.
Dy janë objektivat e kësaj fushate të sinkronizuar antishqiptare:
1. Hakmarrja ndaj Ali Ahmetit për luftën e 2001-shit dhe barazinë që solli ajo;
2. Dobësimi i një dore të fuqishme shqiptare dhe zëvendësimi i saj me derivate që mbetën jashtë nga procesi i lustrimit dhe reformimit të BDI-së.
Përtej kësaj, në këto kohëra të vështira, kur vatra e luftës është disa qindra kilometra larg nesh, shqiptarët nuk kanë lejuar e as që do të lejojnë që figura të dyshimta kombëtare dhe ideologjike të rrezikojnë të ardhmen tonë.
Goditjen, njëherë e mirë, do ta marrin në zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa mediave nacionale terestriale që bojkotojnë aktivitetet e Kryeministrit të parë shqiptar, të ministrave të BDI-së dhe të vetë partisë le t’u “shpërbejë” për nder gjithë ky zell në degradimin e misionit që kanë!”, shkruajti Bujar Osmani.