
Osmani paralajmëron për korrupsion dhe keqpërdorim të buxhetit të Komunës së Çairit
Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, në një intervistë për Nezavisen, theksoi se tre janë sfidat kryesore të komunës: kaosi urban, ndotja dhe mungesa e parkingjeve. Ai paralajmëroi se ndryshimi nuk mund të bëhet brenda një viti, por se vizioni dhe qasja e re janë të qarta.
“Çairi ka qenë i drejtuar nga i njëjti person për 20 vjet, dhe pas 20 vjetësh të kërkohen edhe katër të tjera për të bërë plan urbanistik. Kjo do të thotë se është punuar pa vizion dhe mbi baza të interesave personale,” tha Osmani.
Ai shtoi se komuna aktualisht është e mbushur me kontrata të rreme për aktivistë partiakë, të cilët nuk shkojnë në punë, por marrin rreth 55,000 deri 65,000 denarë në muaj për të promovuar partitë përkatëse në rrjetet sociale. “Imagjinoni 350,000 euro çdo muaj të investoni në rrugë, të riparoni një shkollë… në vend të kësaj, këto fonde shkojnë te aktivistët partiakë,” deklaroi Osmani.
Osmani gjithashtu theksoi rëndësinë e ndershmërisë dhe disiplinës: “Qytetarët në Çair nuk kërkojnë mrekulli, ata kërkojnë vëmendje. Shihni ndonjë vijë të bardhë në rrugë – nuk ka. Ata kërkojnë ndershmëri, disiplinë dhe përkushtim.”
Ai prezantoi edhe disa zgjidhje konkrete: ndërtimin e një garazhi nëntokësor me dy kate pranë kopshtit të “John Kennedy”, duke liruar hapësirat për parking dhe duke rikthyer trotuarët dhe hapësirat e gjelbra. “Çdokush do të ketë parking, hapësira e gjelbër do të jetë, dhe trotuarët do të jenë funksionalë,” tha Osmani.