
Osmani: Personat e zhdukur janë plaga më e thellë e luftës, drejtësia për ta nuk shuhet kurrë

Në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me Dhunë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar me dhimbje e respekt të thellë qytetarët që janë zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka theksuar se personat e zhdukur janë “plaga më e thellë e luftës” dhe ka ritheksuar se drejtësia për ta është një premtim që nuk shuhet kurrë, shkruan Insajderi.
“Në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me dhunë, me dhimbje e respekt të thellë kujtojmë qytetarët tanë të zhdukur me dhunë gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Secili emër në atë listë është një jetë e ndalur dhunshëm, një familje që pret, një plagë që kërkon shërim, një ankth që nuk shuhet kurrë,” ka shkruar Osmani.
Ajo ka shtuar se, edhe pas 26 vjetësh nga përfundimi i luftës, Serbia vazhdon të refuzojë hapjen e arkivave që përmbajnë të dhëna për personat e zhdukur dhe për varrezat masive.
“Ky refuzim është përsëritje e përditshme e krimit, jo vetëm ndaj viktimave, por edhe ndaj familjeve të tyre dhe ndaj gjithë Kosovës. Prandaj, lufta jonë për drejtësi nuk do të ndalet kurrë. Kujtojmë me nderim dhe kërkojmë drejtësi me vendosmëri,” përfundon reagimi i Presidentes së Kosovës.