Pacolli ua shkëput kontratat 20 serbëve që mungonin në punë nga viti 2016, VV udhëheq me Ministrinë e Ambientit nga 2021’ta
Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ua ka shkëputur kontratat 20 punonjësve serbë të ministrisë.
Ajo ka shkruar se të njëjtit kanë qenë edhe pjesë e “Mbrojtjes Civile” dhe kanë munguar vazhdimisht në punë.
Sipas saj, të njëjtit kanë pasur mungesa në punë që nga viti 2016. Para Pacollit, ministrinë për disa vite e kishte drejtuar Liburn Aliu.
Njoftimi i plotë:
Shkëputën kontratat e punës për 20 zyrtarë të MMPH-së
Sot është nxjerrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të MMPH-së nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”. Shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, përfshirë mungesën e vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektimin e detyrave të punës.
Do të vendosim ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike. Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare.