
Parlamenti Evropian miraton Raportin për Maqedoninë – largohet nga teksti identiteti dhe gjuha maqedonase
AA
Me 461 vota për, 121 kundër dhe 107 abstenime, Parlamenti Evropian miratoi Raportin për Maqedoninë, por me këtë rast u hoqën nga dokumenti termat që lidhen me identitetin dhe gjuhën maqedonase. Amendamentet që kërkonin fshirjen e tyre, të propozuara nga eurodeputetë bullgarë, u miratuan falë mbështetjes së tre grupeve më të mëdha parlamentare.
Debati për këtë raport u zhvillua mbrëmjen e kaluar, ku raportuesi për Maqedoninë, Thomas Waitz, bëri thirrje për mbështetje ndaj vendit.
“A është Maqedonia një partner i besueshëm? Po, ajo merr pjesë 100% në politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Kjo është një shtet me potencial të madh, dhe ky raport është një hap më tej drejt anëtarësimit në BE,” deklaroi Thomas Waitz, raportues për Maqedoninë.
Me një ton të ashpër, eurodeputetja sllovene me origjinë maqedonase, Irena Joveva, iu drejtua në gjuhën maqedonase deputetëve bullgarë, duke theksuar se ekzistenca e popullit dhe gjuhës maqedonase nuk ka nevojë për aprovimin e askujt.
“Gjuha maqedonase është autentike. Përpjekjet tuaja janë një trillim modern. Një identitet që ka mbijetuar shekuj nuk do të zhduket për shkak të një votimi apo lobimi tuaj. Populli maqedonas nuk ka nevojë për lejen tuaj që të ekzistojë. Por ju, për ta pranuar këtë, keni nevojë për ndershmëri, integritet dhe guxim – e di,” tha Joveva.
Nga ana tjetër, eurodeputeti bullgar Ivajllo Vallçev iu drejtua qytetarëve të Maqedonisë duke i akuzuar për mashtrim udhëheqësit e tyre.
“Dua t’i drejtohem shoqërisë maqedonase: Mickoski ju gënjen. Përfshirja e bullgarëve në të gjitha pjesët përkatëse të Kushtetutës dhe respektimi i Marrëveshjes me Bullgarinë nga viti 2017 dhe korniza negociuese nuk do ta dëmtojnë identitetin tuaj. Shtyrja e reformave për nisjen e negociatave për anëtarësim do ta dëmtojë pikërisht atë,” deklaroi Vallçev.
Ndërkohë, duke komentuar zhvillimet në Parlamentin Evropian, Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova theksoi se Bashkimi Evropian po përballet me një problem serioz të demokracisë.(INA)