
Partia e Selës: Deklaratat për UÇK-në janë skandaloze dhe provokim i hapur
Aleanca për Shqiptarët, krahu i drejtuar nga Ziadin Sela, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Hristian Mickoski lidhur me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
“Deklaratat e kryeministrit Hristian Mickoski për Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare janë skandaloze dhe provokim i hapur ndaj ndjenjave kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi,” thuhet në reagim.
Sipas partisë, Mickoski po tenton “të mohojë dhe ndalojë një pjesë të lavdishme të historisë sonë” pas, siç thuhet, “zhbërjes së shumë të drejtave dhe të arriturave të deritanishme”.
“Ne e kemi pritur dhe paralajmëruar rrezikun se kjo Qeveri antishqiptare do të arrijë deri këtu dhe të gjitha veprimet tona kanë qenë pikërisht në frymën e parandalimit me kohë të një momenti si ky. Por ajo që edhe më shumë na shqetëson është heshtja e shqiptarëve në Qeveri të cilët siç duket edhe këtë duan ta kalojnë me relativizime dhe ndoshta edhe me sulme ndaj shqiptarëve siç kanë bërë deri më tani,” thuhet më tej në reagim.
Për Aleancën, këto deklarata nuk janë vetëm fyese por edhe të rrezikshme.
“Deklaratat e kryeministrit Mickoski janë sa ofenduese për shqiptarët aq edhe të rrezikshme për stabilitetin e vendit, kohezionin ndëretnik, tensionimin e marrëdhënieve mes bashkësive dhe të ardhmen europiane të vendit,” përfundon reagimi.