
Partia e Selës: Koret antishqiptare – heshtja e Mickoskit, përkrahje e urrejtjes
Nuk kanë të ndalur reagime pas lajmit në Flak mbi ngjarjen në Kumanovë. Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, ka reaguar ashpër pas skandalit të ndodhur në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, ku u dëgjuan thirrje dhe kore fyese me përmbajtje nacionaliste dhe antishqiptare.
“’Dhoma gazi për shqiptarët’, sharje dhe fyerje të ndryshme në ndeshjen Maqedoni–Rumani, pa qenë shqiptarët aspak prezent në sallë,” deklarojë nga ASH-ja e Ziadin Selës, duke theksuar rëndësinë e pranisë së zyrtarëve shtetërorë në këtë ngjarje.
ASH-ja e Selës veçoi faktin se në tribunë ishin të pranishëm Kryeministri Hristijan Mickoski, ministra të qeverisë dhe pjesëtarë të policisë.
“Por, aty prezent ishin Kryeministri, Hristian Mickoski, ministra të Qeverisë dhe pjestarë të policisë që ishin aty për të ruajtur rendin dhe sigurinë. Fyerja e shqiptarëve dhe gjuha e urrejtjes nuk paraqet as cënim të sigurisë, e as të paktën prishje të rendit për këtë Qeveri dhe këtë përbërje të MPB-së ku ka dhe një zëvendës ministër shqiptar nga VLEN.”
Sipas partisë së Selës, heshtja e përfaqësuesve shtetërorë është dëshmi e qasjes së vërtetë të kësaj qeverie ndaj shqiptarëve në vend.
“Heshtja e zyrtarëve të pranishëm gjatë kësaj ngjarje dhe institucioneve shtetërore është përkrahje e hapur për gjuhën e urrejtjes dhe retorikën antishqiptare në shtet.”
ASH-ja e Selës akuzoi Qeverinë se po vepron në përputhje të plotë me këtë atmosferë urrejtjeje.
“Thirrjet e mbrëmshme janë në sinkronizim me veprimet e Qeverisë, me retorikën politike të estabilishmentit dhe veprimet konkrete për degradimin e shqiptarëve në vend.”
Ndërkohë, ai kritikoi edhe heshtjen dhe reagimet e vonuara të zyrtarëve shqiptarë në qeveri, duke i quajtur relativizime.
“Heshtja e mbrëmshme dhe reagimet post-festum të qeveritarëve shqiptarë janë vetëm relativizime, arsyetime dhe justifikime nga ato të zakonshmet që i dëgjojmë sa herë që goditen shqiptarët edhe institucionalisht nga shteti dhe Qeveria.”
Reagimi nga partia e Selës përmbyllet me një akuzë të drejtpërdrejtë për rikthim të një regjimi autoritar dhe monoetnik në vend.
“Kjo është edhe një dëshmi se me disa shqiptarë të nënshtruar në Qeveri dhe me disa padronë që rrënojnë çdo vlerë të demokracisë, tani e një vit në Maqedoninë e Veriut është rikthyer diktatura dhe shteti monoetnik.” Flaka
The post Partia e Selës: Koret antishqiptare – heshtja e Mickoskit, përkrahje e urrejtjes appeared first on Flaka, në çdo lajm… .