
Pas 99 viteve, një libër i huazuar kthehet në bibliotekën e New Jerseyt
Një grua 81-vjeçare, ndërsa po kalonte nëpër kutitë me sendet e nënës së saj, bëri një zbulim befasues: një libër i bibliotekës i cili ishte marrë hua nga gjyshi i saj 99 vjet më parë dhe nuk ishte kthyer në kohë.
Mary Cooper, banuese e Berkeley Township, tha se po kalonte nëpër një kuti me gjërat që i kishin përkitur nënës së saj kur hasi librin “Home-Made Toys for Girls and Boys” nga A. Neely Hall dhe zbuloi se ai ishte marrë nga Biblioteka e Qarkut Ocean në mars të vitit 1926.
Cooper mësoi se gjyshi i saj, Charles Tilton, kishte qenë ai që e kishte marrë librin një vit para se të ndërronte jetë.
“Mendova, unë nuk kam nipër e mbesa dhe fëmijët e mi po plaken. Edhe nëse djali im do ta merrte, nuk e dija çfarë do të bënte me të”, tha Cooper për CNN dhe shtoi se “mendova se i përket bibliotekës”.
Biblioteka e Qarkut Ocean tha se kthimi i librit ndodhi në një kohë domethënëse, pasi sistemi i bibliotekave po feston 100-vjetorin e tij këtë vit.
Bibliotekarët thanë se tashmë biblioteka nuk vendos më gjoba për vonesa, por me shaka llogaritën se, po të zbatohej një tarifë për çdo ditë vonesë, shuma do të kishte arritur rreth 18 mijë dollarë gjatë 99 viteve.
Tani libri ka gjetur një shtëpi të re të përhershme në një vitrinë prej xhami në degën e Bibliotekës së Qarkut Ocean në Toms River. /Telegrafi/