Pas Modriçit, Reali vazhdon bashkëpunimin me një tjetër veteran
Ditë më parë, Real Madridi befasoi të gjithë duke konfirmuar rinovimin e kontratës me Luka Modriç. Megjithatë, rinovimi njëvjeçar i kontratës së mesfushorit 38-vjeçar nuk është i vetmi pasi drejtuesit kanë rinovuar edhe me një veteran tjetër. Bëhet fjalë për anësorin 33-vjeçar, Vaskez, i cili ka vendosur të nënshkruaj një zgjatje deri në verën e vitit 2025.
Është vet klubi mbretëror që ka konfirmuar rinovimin e kontratës së Vaskez me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Real Madrid CF dhe Lukas Vaskez kanë rënë dakord për të vazhduar kontratën e lojtarit tonë, i cili mbetet i lidhur me klubin deri më 30 qershor 2025”, thuhet në njoftim.
Në nëntë sezonet e tij duke mbrojtur fanellën e ekipit të parë, Vaskez ka qenë pjesë e një nga periudhat më të suksesshme në historinë e klubit dhe ka fituar 21 tituj: 5 Liga të Kampionëve, 4 Kupa të Botës për Klube, 3 Superkupa të Evropës, 4 La Liga, 1 Kopa del Rej dhe 4 Superkupa të Spanjës. Vaskez ka luajtur 349 ndeshje për “Los Blankos”, në të cilat ka shënuar 36 gola dhe gjithashtu ka 9 ndeshje me ekipin kombëtar të Spanjës.