Pas përjashtimit nga garat evropiane, KF Prishtina kërkon kompensim financiar nga FFK
Klubi i Futbollit Prishtina ka fituar rastin ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës pasi kjo e fundit nuk e kishte licencuar këtë klub dhe kjo i kishte përjashtuar ata nga pjesëmarrja në garat evropiane.
Komisioni i Arbitrazhit Sportiv ka vendosur në favor të Prishtinës duke thënë se “Padia e Klubit të Futbollit Prishtina sh.p.k. nga Prishtina me nr. 136/2023, e datës 08.06.2023 e KF Prishtina sh.p.k kundër Federatës së Futbollit të Kosovës – FFK është e BAZUAR”.
Vendimi i plotë i KAS-it, i publikuar nga KF Prishtina:
“FC Prishtina nuk është licencuar pa të drejtë nga FFK – ka vendosur KAS-KOK
KËSHILLI PËR ARBITRAZH SPORTIV (KAS) I KOMITETIT OLIMPIK TË KOSOVËS
Ka marrë VENDIM që Padia e Klubit të Futbollit Prishtina sh.p.k. nga Prishtina me nr. 136/2023, e datës 08.06.2023 e KF Prishtina sh.p.k kundër Federatës së Futbollit të Kosovës – FFK është e BAZUAR.
Anulohet Vendimi me Nr. 539-2, i datës 26.05.2023 i Komisionit të shkallës së dytë i Federatës së Futbollit të Kosovës për licencimin e klubeve për pjesëmarrje në garat e UEFA-së dhe Vendimi 534-2, i datës 19.05.2023 i Komisionit të Federatës së Futbollit të Kosovës për licencimin e klubeve për pjesëmarrje në garat e UEFA.
Ndërkohë, pas fitimit të këtij rasti, Prishtina ka paralajëmruar se do të kërkojë kompensim të dëmit material, moral dhe prishjen e imazhit të klubit.
“FC Prishtina njofton se pas këtij vendimi të paligjshëm të Komisionit për Licencim të FFK-s për moslicencim të FC Prishtina, hapen rrugët ligjore për të kërkuar kompensimin e dëmit material, moral dhe prishjen e imazhit të klubit”, thuhet më tutje në njoftimin e klubit nga kryeqyteti.