Pas Vitor Roke-s, Barcelona takohet me “Mesinjon”
Pas Endrikut që verën e ardhshme do të transferohet te Real Madrid, Palmeiras është gati të zbulojë dhe t’i dhurojë Europës një tjetër xhevahir. Fjala është për Estevao Villian Almeida de Oliveira Goncalves, ose shkurt “Mesinjo”.
Djaloshi është vetëm 16-vjeçar dhe këtë sezon debutoi më ekipin e parë të Palmeiras teksa u aktivizua për 13 minuta në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Kruzeiros. Të dhënat e sulmuesit janë të shkëlqyera dhe jo më kot për të është gati të bëjnë çmenduri klubet më të mëdha europiane.
Pas “Mesinjos” janë Real Madridi, Paris Sen Zhermeni, Man. Siti, Man. Junajtei, Arsenali dhe Çellsi. Megjithatë, vetë sulmuesi ka një preferencë dhe ajo është Barcelona. 16-vjeçari ëndërron të bëjë karrierën në Katalonjë dhe në të ardhmen të sfidojë pikërisht mikun e tij Endrik që do të jetë pjesë e Real Madridit.
Aktualisht, kartoni i sulmuesit kushton 60 milionë euro, një shifër që Barcelona vështirë se e përballon në këtë moment. Megjithatë, katalanasit do të mbajnë një takim me agjentin e futbollistit të talentuar për të qenë në pozitat e para në garën për Mesinjon. Ky i fundit nuk mund të transferohet në Europë para vitit 2025, atëherë kur do të mbushë edhe 18-vjeç, megjithatë gara është e hapur.