
Pep Guardiola shpalos emrin e mesfushorit më të mirë në botë…për momentin
Trajneri i Man. Sitit, Pep Guardiola ka mbajtur një konferencë për shtyp pas barazimit të së shtunës me Çellsin (1-1) në xhiron e 25-të të Premier Ligës. Ndër të tjera ai ka folur edhe për Rodrigon, lojtarin e Sitit, të cilin e konsideron si mesfushorin më të mirë në botë.
“Ai është i jashtëzakonshëm, ai është mesfushori më i mirë në botë për momentin”, deklaroi Guardiola.
Rodri ishte golashënues në ndeshjen ndaj Çellsit. Rahim Sterling u dha epërsinë “Bluve” në minutën e 42-të dhe Rodri shënoi në minutën e 83-të. Ky ishte goli i tij i shtatë këtë sezon, dhe ai gjithashtu ka shtatë asistime në 31 paraqitje. Ai është një anëtar i padiskutueshëm i ekipit të parë të skuadrës së Guardiolës, i cili fitoi tripletën vitin e kaluar.
“Është e vështirë të imagjinohet se çfarë do të bënim pa të. Rodri është i aftë të bëjë gjithçka. Çfarë përforcimi për Sitin! Mesfushorët qendrorë nuk vlerësohen si sulmues. Dhe kjo është mirë sepse një mesfushor qendror duhet të luajë për gjithë ekipin, ky është roli i tij”, shtoi Guardiola.
Rodri luajti për Atletiko Madridin dhe Viljarreali në karrierën e tij para se të mbërrinte në Man. Siti në 2019 për 70 milionë euro. Ai fitoi dhjetë trofe me klubin e Mançesterit, një me Atletikon dhe fitoi Ligën e Kombeve me kombëtaren spanjolle. Ai ka kontratë me Sitin deri në vitin 2027 dhe Transfermarkt e vlerëson në 110 milionë euro.