Për talentin e Empolit, Roma largon 3 futbollist me eksperiencë
Kanë mbetur më pak se 48 orë deri në mbylljen e afatit kalimtar të janarit, ku këto orë janë vendimtare edhe për Romën. Gjiganti italian ka afruar mbrojtësin e majtë spanjoll Anhelinjo si huazim me të drejtë blerje prej gjashtë milionë eurove nga Lajpcigu.
Megjithatë te Roma po presin një tjetër ardhje në orët e fundit, por para se gjithash ata duhet të shesin për të pasur hyrje të reja. Kryeqytetasit janë duke larguar tre futbollistë nga radhët e tyre, për t’i bërë vend një afrimi të ri.
Andrea Belotti po e kompleton huazimin te Fiorentina, ku klubi vjollcë do ta ketë të drejtën e blerjes në fund të sezonit. Ndërkohë nga Roma si huazim pritet të largohet edhe Marash Kumbulla me Sassuolon që është skuadra favorite për t’i siguruar shërbimet e tij. I fundit që pritet të largohet nga “Giallorosët” është mbrojtësi turk Zeki Celik që pritet t’i bashkohet Gallatasarait.
“Giallorosët” po punojnë për afrimin e talentit të madh italian Tommaso Baldanzi nga Empoli, i cili është kërkesë e trajnerit Daniele De Rossi. Për Baldanzin, Roma është duke kërkuar huazimin e tij me obligim blerje prej 15 milionë eurove.