
Përballja titanësh në boks: Fjuri nuk e shikon në sy Usyk-un
Tajson Fjuri është i bindur se asgjë nuk do ta ndalojë atë të mposht Oleksandr Usyk kur ata të duelojnë për të nxjerrë boksierin më të mirë në peshën e rëndë. Të dy janë kampionë bote në këtë peshë dhe të pamposhtur, andaj gjithë botë pret me padurim 18 majin për të mësuar fituesin.
Fjuri është një kampion i rrallë, teksa në vitin 2015 ia mori titujt legjendës Vladimir Klitçko, ndërsa tri vite më parë bëri të njëjtën gjë ndaj Deontej Uajllder.
Mirëpo Fjuri refuzoi ta shikonte Oleksandr Usyk në sy, teksa dy kampionët e botës dolën ballë për ballë përpara meçit për titullin e peshave të rënda të së shtunës. Të dy kampionët shkëmbyen shumë pak fjalë në një konferencë shtypi para meçit në Riad të Arabisë Saudite.
“Unë jam gati. Nuk kam asgjë për të thënë. Jam gati për një luftë të mirë. Nëse është e vështirë apo e lehtë, sido që të jetë, unë do të jem gati”, ka thënë 35-vjeçari britanik.
Ai falënderoi Usyk-un që ra dakord për luftën. Kur u pyet nëse kishte një mesazh për ukrainasin, Fjuri shtoi: “Zoti e bekoftë. Unë do të bëj një lutje për të para luftës që ne të dy të dalim të sigurt nga ringu”.
Usyk gjithashtu nuk donte të përfshihej në ndonjë bisedë para meçit.
“Le të bëjmë histori”, ka thënë ukrainasi.
Kur të dy dolën në pjesën e përparme të skenës për një përballje të detyrueshme, Usyk qëndroi anash, por Fjuri në vend të kësaj vendosi të rrinte drejt turmës, duke mos e shikuar në sy ukrainasin.