
Përballja zgjedhore në Zhelinë: Emir Sulejmani dhe Blerim Sejdiu në garë për kryetar komune
Komuna e Zhelinës bëhet arenë e një tjetër përballjeje të ashpër në zgjedhjet lokale të ardhshme, ku dy figura me formim juridik dhe përvojë të konsiderueshme do të matin forcat: Emir Sulejmani, kandidat i BDI-së dhe Aleancës Kombëtare për Integrim, dhe Blerim Sejdiu, kandidati i koalicionit VLEN, i cili hyn në garë për herë të tretë radhazi, shkruan Flaka
Kush është Emir Sulejmani?
Emir Sulejmani është jurist i diplomuar nga Universiteti i Tetovës, ndërsa studimet postdiplomike i ka ndjekur në Universitetin Europian në Shkup, ku ka marrë titullin Magjistër i Shkencave Juridike. Ai ka kaluar me sukses provimin e jurisprudencës në vitin 2019 dhe është çertifikuar si noter në vitin 2020.
Në periudhën 2017–2019, ka shërbyer si këshilltar i posaçëm i zëvendëskryeministrit për Marrëveshjen e Ohrit, duke luajtur rol në sistemimin e mijëra shqiptarëve në institucionet shtetërore, njofton Flaka. Nga viti 2023 deri në 2024 ka qenë drejtor gjeneral i Drejtorisë për Librat Amzë, institucion të cilin e ka decentralizuar në disa komuna shqiptare, përfshirë Zhelinën, duke promovuar qasje të barabartë për qytetarët pa dallime politike.
Kush është Blerim Sejdiu?
Blerim Sejdiu është gjithashtu jurist, i diplomuar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, dhe Master i Shkencave Juridike nga Universiteti FON në Shkup. Ka punuar si avokat për disa vite dhe ka qenë aktiv edhe në sport, si sekretar i FC Shkëndija gjatë periudhës 2008–2011.
Në sferën akademike, ka qenë udhëheqës i departamentit juridik në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik nga viti 2010 deri në 2016. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 fitoi për herë të parë mandatin për kryetar të Komunës së Zhelinës si kandidat i Lëvizjes Besa, shkruan Flaka. Mandatin e tij e ripërtëriti edhe në vitin 2021, kur fitoi në raundin e dytë përballë kandidatit të BDI-së. Tashmë hyn në garë për një mandat të tretë si përfaqësues i VLEN-it.
Një garë me shumë peshë politike
Zhelina, një nga komunat me shumicë shqiptare në rajonin e Tetovës, pritet të jetë skenë e një përballjeje të fortë ndërmjet blloqeve politike shqiptare – Frontit Europian dhe koalicionit opozitar VLEN. Me dy kandidatë të profilit të lartë dhe me bazë të fortë juridike, gara do të jetë vendimtare për balancat lokale dhe rajonale. Flaka