Përmirësohet kontrolli i sigurisë në Aeroportin e Shkupit
Me investim prej një milionë eurosh është përmirësuar kontrolli i sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku sot u lëshuan dy pajisje të reja me tomografi kompjuterike për kontrollin e bagazhit të dorës, si dhe dy shirita të reja të automatizuar – sisteme për kthim automatik të shportave – nga kompania britanike Smiths Detection.
Këto sisteme, siç u tha në promovimin e tyre, sigurojnë saktësi shumë më të madhe në zbulimin e kërcënimeve potenciale dhe dukshëm e ulin nevojën e kontrolleve fizike plotësuese.
Gjithashtu do të sigurohen edhe përvoja më të mira për pasagjerët, ashtu që kontrolli i sigurisë do të jetë më i shpejtë, koha e pritjes më e shkurtër, ndërsa komoditeti do të jetë më i madh. Për dallim prej më parë, pasagjerët më nuk kanë nevojë t’i nxjerrin laptopët, tabletët, celularët dhe lëngjet nga bagazhi i dorës – këto gjëra mund të mbesin në çantë gjatë procesit të kontrollit.
“Gjithashtu mundëson kapacitet më të madh në aeroport, që do të thotë se teknologjia e re do të përballojë deri në dyfishin e pasagjerëve në orë për linjë. Ky është çelësi për t’u përballur me trafikun në rritje, veçanërisht gjatë sezonit të pikut”, tha Nexhat Kurt, drejtor ekzekutiv i operatorit të aeroportit TAV Maqedoni, në një konferencë për shtyp.
Me këtë teknologji, theksoi Kurt, TAV Maqedoni e pozicionon Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit pranë qendrave më të mëdha evropiane siç janë Frankfurti, Hitrou dhe Cyrihu, ku këto sisteme tashmë janë standarde. Pajisjet e njejta shfrytëzohen edhe në aeroportet udhëheqëse në SHBA, Izrael dhe Indi, që e konfirmon sigurinë e tyre dhe pranimin global.
Kurt theksoi se sistemet e reja janë pjesë e ciklit më të gjerë të investimeve në sigurinë e Aeroportit Ndërkombëtar në Shkup, pasi vitin e kaluar u zbatuan dy projekte të mëdha plotësuese në vlerë të përgjithshme prej 1.930.000 euro të cilat plotësisht e përforcojnë sistemin e sigurisë.
“Të gjitha këto investime kanë një qëllim. Të avancohen procedurat e sigurisë, të rritet efikasiteti dhe të ngritet cilësia e shërbimeve për çdo pasagjer”, citoi Kurt, duke theksuar se me këto TAV Maqedoni qartë e konfirmon përkushtimin e saj strategjik ndaj ndërtimit të aeroporteve moderne, të sigurta dhe cilësore të cilat i plotësojnë dhe i tejkalojnë standardet evropiane.