Përplasja për aeroportin e Vlorës, Pacolli akuzon Valon Llukën për falsifikim e tjetërsim: S’të mjaftonte paga 30 mijë euroshe…
Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër lidhur me situatën e krijuar në Vlorë, duke folur për presione dhe kërcënime ndaj punonjësve të kompanisë “Mabco”, investitori kryesor në zonë me mbi 300 milionë euro investime.
Në një postim publik, Pacolli akuzon ish-bashkëpunëtorin e tij, Valon Lluka, për tradhti, falsifikim dokumentesh dhe përfshirje në atë që ai e cilëson si “tjetërsim i paligjshëm i pronës”.
Sipas tij, Lluka kishte punuar për 18 vite në grupin “Mabetex”, duke mbajtur pozita të rëndësishme dhe duke gëzuar besim të plotë.
Pacolli pretendon se veprimet e fundit kanë shkaktuar trauma dhe përplasje të vazhdueshme ligjore prej muajsh, ndërsa shpreh bindjen se drejtësia do të veprojë ndaj përgjegjësve.
Ai gjithashtu ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si, sipas tij, janë realizuar shitje të pronave që nuk u përkisnin personave të përfshirë, duke përmendur falsifikime dokumentesh dhe motive financiare pas këtij procesi.
Në reagimin e tij të plotë, Pacolli shkruan:
“Kjo që po ndodh në Vlorë, ky terrorizim i grupeve kriminale ndaj punonjësve të investitorit të vetëm Mabco (pronarit të 98% të kuotave), i cili është i ekspozuar me mbi 300 milionë euro në Vlorë, i inkurajuar nga vendime gjyqësore të përkohshme, joligjore dhe jokushtetuese, e ka zanafillën te veprimet e pamoralshme, të dënueshme, mashtruese dhe tradhtare të Valon Llukës. Ai erdhi në grupin Mabetex, kaloi nëpër shumë funksione, u pasurua dhe në fund, pas 18 vitesh, tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe tradhtoi besimin që ia kishim dhënë.
Siç po e shihni, prej 9 muajsh jemi duke u përballur çdo ditë me trauma marramendëse, në kërkim të së drejtës dhe në përpjekje për të evituar më të keqen.
Tani po të drejtohem ty: A nuk të mjaftonte paga prej 30 mijë eurosh (me të gjitha të mirat e mirëkuptimin që kishe), por fute duart edhe te tjetërsimi i pronës që nuk është e jotja. Si munde ta shesësh pronën e huaj? Kush të shtyu ta bësh atë? E bëre për një përqindje, ashtu siç të kishte premtuar partneri yt në këtë vepër kriminale, nëse do ta kryenit me sukses këtë akt të shëmtuar.
Ti falsifikove dokumente, vula dhe çdo gjë tjetër. Pse, para se ta kryeje këtë akt të shëmtuar, nuk erdhe të kërkoje ndihmë, si herët e tjera? Ndoshta do të të kisha ndihmuar. Pse e mbajte këtë akt të fshehur për më shumë se 5 muaj, derisa rastësisht e zbuluam, pse unë nuk kisha bërë asnjë hulumtim, sepse kisha besim tek ti?
Ti i përbuze të gjitha: përbuze bujarinë dhe shtëpinë time. Mos harro se drejtësia, herët a vonë, vjen si rrufeja.”