Përplasje BDI–VLEN për pasurinë dhe investimet e zyrtarëve
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit verifikimin e burimit të mjeteve me të cilat, sipas deklarimit të pasurisë, drejtori i NOMAGAS-it, Nedim Rama, ka fituar aksione në kompani të huaja. Në reagimin e saj, BDI ngre pikëpyetje lidhur me deklarimin e aksioneve në kompaninë gjermane Mercedes-Benz Group AG dhe në kompani të tjera ndërkombëtare. Sipas BDI-së, në deklaratën e pasurisë së Ramës figuron se këto pjesëmarrje janë fituar më 22 prill 2026, në kohën kur ai tashmë ishte në krye të NOMAGAS-it.
BDI
“Sa ka investuar konkretisht në Mercedes-Benz Group AG? Nga cila llogari janë transferuar mjetet? Cili është burimi i kapitalit? A janë deklaruar këto investime në afatin ligjor? Dhe a ka investime të tjera jashtë vendit që ende nuk janë bërë publike? Këto nuk janë pyetje private. Nedim Rama drejton NOMAGAS-in, një kompani shtetërore me rëndësi strategjike, dhe çdo rritje e konsiderueshme e pasurisë së një funksionari publik gjatë ushtrimit të mandatit duhet të jetë plotësisht e shpjegueshme”.
Nga VLEN janë përgjigjur se, investimet në aksione janë bërë disa herë vitet e fundit, dhe vlera totale e raportuar e portofolit të tij është rreth 30.000 euro.Ndërkohë ka kërkuar sqarime për pasuritë dhe bizneset e lidhura, sipas tyre, me familjarë të ish-funksionarëve të BDI-së.
VLEN
“Nga erdhën qindra miliona euro në prona dhe biznese me të cilat është e lidhur familja e Ali Ahmetit, vetëm në territorin e Shkupit? Si lulëzoi biznesi i vëllait të Bujar Osmanit, ndërsa Osmani mbante disa nga pozicionet më të larta shtetërore dhe çfarë ndodhi me atë biznes? Cilat lidhje shtetërore dhe institucionale hapën dyert për bizneset dhe angazhimet e vëllait të Arbër Ademit? Si u bënë saktësisht familjet në krye të BDI-së, pas më shumë se dy dekadash në pushtet, pronarë të kompanive, qendrave të biznesit, pasurive të paluajtshme, koncesioneve dhe bizneseve miliona dollarëshe?”
VLEN ka shtuar se, tregtimi i aksioneve në “Mercedes” ose kompani të tjera të tilla si “Novo Nordisk” dhe “SOFI Technologies”, është një aktivitet plotësisht i ligjshëm, i lejuar në përputhje me rregulloret në fuqi në vend. /SHENJA/
