Përplasje politike për incidentin në Strumicë, VLEN-i akuzon Grubin dhe BDI-në
Gazetar: Mahir Thaçi
VLEN e bën përgjegjëse BDI-bë dhe Artan Grubin për incidentin e dy dite më parë në ndeshjen mes Brerës dhe Shkëndijës në Strumicë. Ata ma dje thonë se me sjelljet destruktive po ndjekim skemat e Aleksandar Vuçiqit. Sipas VLEN-it, “në përpjekjet për të krijuar tensione etnike, Artan Grubi ka abuzuar me FFM-në, të udhëhequr nga Muhamed Sejdini dhe se qëllimi i tyre është të shpëtojnë nga përgjegjësia penale për korrupsionin politik.
“Në vend që të bëjnë sehir, BDI-ja duhet të përgjigjet menjëherë: A është e vërtetë që, nën urdhrat e Artan Grubit dhe Omer Bunjakut, në ndeshjen ndërmjet FK Brera dhe FK Shkëndija në Strumicë është testuar një plan i BDI-së për të krijuar tensione përmes incidenteve në ngjarje sportive? A e ka zgjedhur me qëllim dhe në mënyrë të vetëdijshme Muhamed Sejdini, president i FFM-së dhe i arrestuar gjatë fushatës zgjedhore për blerje votash për BDI-në, një delegat të tillë për këtë ndeshje, për të kërkuar nga policia largimin e tifozëve që kishin shfaqur flamurin shqiptar?
A planifikon BDI-ja, duke ndjekur skemat e Vuçiqit, të shkaktojë përplasje ndërmjet grupeve të ndryshme të tifozëve dhe tensione ndërmjet nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve në periudhën e ardhshme? pyesin nga VLEN.
Në këtë drejtim ka folur edhe kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mickoski, i cili paralajmëroi se në periudhën që pason do të ketë provokime të ndryshme.
“Јemi duke përcjell sjelljet e këtij lloji të njerëzve të pasuruar në kurriz të qytetarëve, politikanë dhe biznismenë. Nga sjellja e tyre mund të përfundojmë se janë pafuqishëm të mobilizojnë dhe magnetizojnë protesta afatgjate dhe kjo është analiza jonë, pa mos shkaktuar më këtë rast edhe incidente ndëretnike , urrejtje ndëretnike. Andaj në periudhën që pason do të ketë provokime”, deklaroi Hristijan Mickovski, kryeministër i Maqedonisë.
VLEN dhe kryeministri Mickoski apelojnë deri te qytetarët që mos të bien pre e këtyre provokimeve. Ndërkohë nga BDI-ja opozitare akuzojnë ministrat shqiptarë se janë të pa aftë që të mbrojnë shqiptarët.
“Asnjë punë nuk e keni të bërë, asnjë premtim nuk e keni realizuar, ju jeni dështakët më të mëdhenj në historinë e kombit. I gjithë kombi shqiptar, tifozët, klubi futbollistik, mediat, e dinë të vërtetën, prandaj ju jeni patetik dhe injorant në përpjekjet e juaja për tu arsyetuar nga fiaskoja që keni shkaktuar”, thonë nga BDI. /Alsat.mk