Personi qe kërcënonte Zoran Zaevin dikur, arrestohet per vrasje
Zharko Grozdanovski nga Bërvenica është personi i arrestuar nën dyshimin se ka vrarë pensionistin Klime Mitreski në Ohër. Të dy njiheshin më parë, ndërsa Mitreski, sipas informacioneve jozyrtare nga hetimi, kishte lidhur edhe një kontratë për përkujdesje të përjetshme me Grozdanovskin. Pikërisht kjo, sipas informacioneve fillestare nga hetimi, është arsyeja që Grozdanovski ta vrasë Mitreskin. Nga MPB bëjnë të ditur se deri më tani Grozdanovski është ndjekur penalisht vetëm për një vepër – kërcënime përmes rrjeteve sociale.
Sipas marrëveshjes, Grozdanovski duhej të kujdesej për Mitreskin nga Ohri, i cili ishte 76 vjeç. Pas vdekjes, ai duhej të trashëgonte pasurinë e tij. Sipas hetimit dhe provave të deritanishme, Grozdanovski e ka vrarë Mitreskin me qëllim që ta trashëgonte menjëherë pasurinë.
Grozdanovski në të kaluarën ishte i njohur në publik si “lider” i një organizate të quajtur “Vëllazëria e Krishterë”. Ai ishte arrestuar edhe në vitin 2019, kur përmes “Facebook”-ut kërcënonte kryeministrin e atëhershëm Zoran Zaev, duke i thënë: “Mos më prek asnjë nga vëllezërit e mi në fe… Dy herë të kam lënë, nëse nuk më beson, pyeti njerëzit e tu në DSK. Herën e parë në Makedonski Brod, herën e dytë në Jasen dhe Kozjak… Dy herë pata mundësi ta djeg Maqedoninë, por u tërhoqa sepse dhashë fjalën: ndaj një maqedonasi nuk ngre armë… Për një kryq dhe për besim do të zhdukeni edhe ti, edhe LSDM, edhe VMRO-DPMNE dhe të gjithë liderët në Maqedoni… Unë jam Zharko Grozdanovski. Djalë, ti je tradhtar!”.
“Shkup1” kërkoi informacione nga MPB për dosjen kriminale të Grozdanovskit, nga ku thonë se përveç veprës penale për rrezikim të sigurisë përmes kërcënimeve, nuk ka vepra të tjera.
“Sipas të dhënave dhe evidencave zyrtare të SPB Tetovë, deri më tani ndaj personit Zh.G. është evidentuar vetëm një vepër penale ‘rrezikim i sigurisë përmes sistemit kompjuterik’. Përveç këtij rasti konkret, nuk ka të dhëna për sanksione apo procedura të tjera penale me epilog të formës së prerë”, thonë nga MPB për “Shkup1”.
Grozdanovski është familjar, baba i tre fëmijëve. Ai është magjistër i shkencave mjekësore, defektolog i diplomuar.
Nga ana tjetër, Mitreski gjatë një paraqitjeje në emisionin “Jadi Burek” në vitin 2018, e përshkruante veten si “Klime udbashot” dhe “Konaku i Klimentit”. Ai theksonte se ishte marrë me shumë veprimtari, si në vend ashtu edhe në Australi, dhe prezantohej si një nga themeluesit e VMRO-DPMNE-së.
Për momentin nuk ka informacione shtesë nga Prokuroria e Ohrit, e cila ka paralajmëruar detaje për më vonë./Skopje1.mk