
Pesë vite pas mbylljes së “Eurostandard Bankës”: Asnjë aktakuzë, asnjë i akuzuar, asnjë seancë
Pesë vite pas mbylljes së “Eurostandard Bankës”, depozituesit e dëmtuar reagojnë sërish publikisht duke theksuar se hetimi i Prokurorisë Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar po ngec – pa aktakuza, pa të akuzuar dhe pa seanca gjyqësore, përcjell Gostivari Sot
“Vetëm heshtje, vetëm kohë që po ikën, vetëm shpresë që po zbehet,” thonë nga Shoqata e Depozituesve të Dëmtuar.
Ata kujtojnë:
“Ne nuk e harrojmë pranimin publik të Trifun Kostovskit për krimin e kryer – transferimin e paligjshëm të 3 milionë eurove depozita në Komercijalna Bankë. Nuk i harrojmë kompanitë e lidhura me drejtorë, të afërm dhe rrethe biznesi, të cilat kanë marrë kredi pa garanci reale. Nuk i harrojmë shikimet e të dashurve tanë kur kuptuan se kursimet e tyre të fituara me mund ishin zhdukur brenda natës për shkak të menaxhimit të papërgjegjshëm të disa mendjeve kriminale. Nuk harrojmë se sipas raportit të falimentimit, 149 kompani nuk kanë kthyer asnjë këst, ndërsa 58 prej tyre kanë marrë kredi në vlerë prej 16,8 milionë euro, të siguruara vetëm me fletë-pagesa të thjeshta.”
Sipas tyre, një pjesë e madhe e të dëmtuarve janë pensionistë, punëtorë dhe biznese të vogla. Ata akuzojnë për një “krim të planifikuar me kujdes” ku janë të përfshirë persona nga rrethet familjare dhe të biznesit të ish-drejtorëve.
“Do të ekzistojmë deri sa të kthehet edhe denari i fundit dhe deri sa i fundit përgjegjës të dalë para drejtësisë. Në gjithë këtë plan, e vetmja gjë që nuk e kanë planifikuar është se ne – të dëmtuarit – do të bashkohemi dhe nuk do të heshtim,” theksojnë nga Shoqata, duke pyetur nëse më shpejt do të ndërtohet hekurudha Shkup–Selanik sesa të ngrihet një aktakuzë për një krim me vlerë mbi 50 milionë euro. Gostivari Sot