Policia ngelin pa çorape dhe pizhame të dimrit edhe këtë vit, tenderi u pezullua për shkak të disa fijeve të perit
Policisë së Kosovës do t’i pezullohet tenderi i paraparë për dimër për pizhama dhe çorapë edhe këtë vit. Zyra e Prokurimit ka marrë vendim që ta pezullojë këtë, pasi që operatori ekonomik “WOOD CORPORATION L.L.C.” është shpallur i papërgjegjshëm, meqë në çorapët e dedikuara për policët janë hasur disa fije peri të dala nga to.
Operatori ekonomik është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke thënë se autoriteti kontraktues e ka pezulluar pa bazë, meqë këto fije të perit s’kanë qenë të ndaluara në dosje të tenderit.
“Autoriteti kontraktues në këtë rast e ka konstatuar se qepja e produktit nga ana e Ankuesit nuk është profesionale, pasi që në të janë hasur disa fije të perit e të cilat nuk kanë qenë në asnjë formë të ndaluara në dosje të tenderit. Pra komisioni për vlerësimin e ofertave dhe veçanërisht Zyrtari përgjegjës i prokurimit ka tejkaluar kriteret e dosjes së tenderit dhe kanë përdorur kritere jo të barabarta dhe të papërcaktuara në dosjen e tenderit për eliminimin e ofertë së Ankuesit”, thuhet në ankesë.
Kompania pretendon se asnjë laborator apo profesionist i tekstilit nuk ka qenë i përfshirë në procesin e vlerësimit, prandaj gjetja e autoritetit kontraktues është e pabazë.
“Autoriteti kontraktues po ashtu ka bërë shkelje të nenit 10 të Ligjit për Prokurimin Publik pasi që nuk ka ofruar qasje në atestet e operatorit të rekomanduar për kontratë në Llot 2, me arsyetimin se është kërkuar sekret afarist. Siç dihet nga praktika e deri tanishme kriteret vlerësuese si përmbajtja e materialit nuk mund të mbrohen si sekrete afariste, pasi që në to nuk ka të dhëna që mund të dëmtojnë konkurrencën e lirë në mes të operatorëve”, vijon ankesa.
Vendimin për pezullimin e tenderit e ka bërë publik sot Policia e Kosovës.
Pezullohet deri në Vendimin e ardhshëm aktiviteti i prokurimit:: “FURNIZIM ME PIZHAME DIMRI DHE ÇORAPË PËR ZYRTARET POLICORË” me numër te Prokurimit 214/30400-25-9367-1-1-1 & 214/25/118/111 Vendimi publikohet në platformën elektronike në adresën https://e-prokurimi.rks-gov.net“, thuhet në njoftim.
Edhe përgjatë vitit të kaluar ishte anuluar i njëjti tender. Zyrtarët policorë janë njoftuar në janar të vitit që shkoi se do të mbesin pa to. Autoriteti kontraktues thotë se dy operatorë ekonomikë ishin të papërgjegjshëm.
Në vendimin për anulimin e tenderit, Prokurimi i Policisë së Kosovës kishte thënë se e vetmja ofertë e pranuar për pjesën 2 dhe 4 nga operatori ekonomik ‘Naim Shuki B.I’ nuk ishte e përgjegjshme.
Arsyetimi mbi anulimin e vendimit është se operatori ekonomik ua kishte ndryshuar vendin e origjinës dhe prodhuesin, kur iu kishte kërkuar informatë shtesë.
“Pas kërkesës për sqarime shtese nga AK bazuar në nenin 59.2 LPP dhe neni 72 të Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik, Operatori Ekonomik është përgjigjur në sqarimet e kërkuara brenda afatit kohor të përcaktuar ne kërkesën për sqarime shtesë pasi që afati i fundit për pranimin e sqarimeve shtesë ka qenë data 16.12.2024 ora 16:00h, ku OE pas sqarime shtesë për artik. me nr. rend. 2 dhe 4 emri i prodhuesit dhe vendi i origjinës në përgjigjen e tij
…Sipas kësaj ky OE pas sqarimeve shtesë ka ndryshuar prodhuesin si dhe vendin e origjinën në listën e çmimeve për artik 2 dhe 4 dhe eliminohet si i papërgjegjshëm”, thuhej ndër të tjera në vendim.
