Porosi të rreme gjatë festave – shumë qytetarë pre e mashtrimeve!
Gjatë festave qindra qytetarë kanë marrë SMS porosi për dërgesa që i nënshtrohen doganës dhe pasi të paguani 2 euro Postat e Maqedonisë do t`ua dërgojnë sërish, përcjell KlanM.
Në vend të 2 eurove mashtruesit kibernetik kanë boshatisur llogaritë bankare të qytetarëve të RMV-së me 500 ose 600 euro. Ata që kanë reaguar më shpejt, i kanë bllokuar llogaritë.
Autoritetet, sic njofton KlanM, thonë se nëse pranoni një SMS me përmbajtje të këtillë duhet ta injoroni.
SMS mesazhi i shkruar në gjuhën maqedone, ju çon në linkun që gjoja hap faqen e Postave të Maqedonisë. Por, që në hapin e parë, sic percjell KlanM, mund të vërehet se bëhet fjalë për mashtrim, pasi në faqen nuk mund të shkoni as te MENU-ja e as te faqja zyrtare e Postave të Maqedonisë. Më pas kërkohen të dhënat personale, që shpeshherë keqpërdoren dhe në fund llogaria e transaksionit për agjentin e pretenduar që ta dorëzojë pakon tuaj pasi të paguani 1.99 euro.
Një numër I madh I qytetarëve janë bërë pre e mashtrimit, pasi çdo I dyti qytetar në vend porositë I bën përmes internetit, kurse mashtruesit kibernetik zgjedhin pikërisht festat kur edhe bankat nuk punojnë dhe vështirë merren mbështetjet teknike.
Prefiksi I numrit nga ku dërgohen SMS mesazhet, sic njofton KlanM, është +33, që është numri për Francën.
MPB-ja ka njoftuar PTHP-në për rastin duke bërë thirrje që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve të këtilla respektivisht assesi të mos i dërgojnë të dhënat personale përmes internetit.
Shumë banka të vendit kanë dërguar komunikata dhe njoftime për klientët e tyre që nëse I kanë dhënë llogaritë e tyre të transkasionit, menjëherë t`i bllokojnë kartelat dhe të paraqiten në qendrat e kontaktit të bankave./KlanMacedonia