Prapaskenat te Milani, Ismael Benaser ka kërkuar largimin pas përplasjes me Konseisaon
Në pushimin e pjesës së parë në derbin Milan-Inter, thuhet se kishte një përplasje të ashpër mes trajnerit Serxhio Konseisao dhe algjerianit Ismael Benaser. Kjo u reflektua menjëherë me startin e fraksionit të dytë, kur Benaser u zëvendësua nga Himenezin. Menjëherë pas kësaj, ai kërkoi largimin, ndërsa mësoi edhe për interesimin e Marsejës. 27-vjeçari u transferua në Francë në huazim, me të drejtë blerjeje për 10 milionë euro.
Në orët e fundit të merkatos, Milani u mundua të shiste Samuel Çukvuezen. Interes i fortë nga ana e Fulhamit, por këmbëngulja e nigerianit për të mbetur kuqezi bëri që bisedimet të dështonin.
Vendim i Tomorit dhe i Pavloviçit për të mos lëvizur nga Milani bënë të pamundur edhe shitjen e tyre, pavarësisht se klubi u kishte gjetur destinacione dhe vlerësime të mira ekonimike.
Kuqezinjtë dështuan gjithashtu të bënin edhe një goditje të gjashtë në hyrje. Bëhet fjalë për Samuele Riçin. Torino nuk lëvizi nga kërkesa për 40 milionë euro, shifër tepër e lartë për arkat e “Djallit”, që të njëjtën shumë e kishte shpenzuar për goditjet e tjera të kësaj merkatoje dimërore.