Presidentja e Indisë vizitë dyditëshe në Maqedoninë e Veriut
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me një ceremoni solemne dhe me nderimet më të larta shtetërore e ushtarake, ka pritur në takim presidenten e Republikës së Indisë, Droupadi Murmu, e cila po zhvillon vizitën e parë zyrtare në vend.
Në konferencën e përbashkët për media, Siljanovska-Davkova tha se të dyja palët kanë konfirmuar përkushtimin për t’i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel edhe më të lartë. Ajo përshëndeti intensifikimin e dialogut politik pas shkëmbimeve ministrore mes Shkupit dhe Nju Delhit, duke theksuar se kontaktet ndërmjet qeverive, ministrive, parlamenteve dhe institucioneve duhet të bëhen më të shpeshta, më të strukturuara dhe më ambicioze.
GORDANA SILJANOVSKA-DAVKOVA, PRESIDENTE E MAQEDONISË SË VERIUT
“Diplomacia parlamentare mbetet një nga shtyllat më të forta të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe jam e bindur se fjalimi i presidentes Murmu para deputetëve në Kuvend do të forcojë lidhjet mes dy parlamenteve dhe do të hapë mundësi të reja për dialog parlamentar. Shprehëm gjithashtu mirënjohjen tonë për praninë gjithnjë e më aktive të Indisë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore. Ne mirëpresim çdo iniciativë për thellimin e bashkëpunimit dhe shpresojmë që në të ardhmen India të hapë një ambasadë rezidente në Shkup”.
Ndërkohë, Presidentja e Indisë, Droupadi Murmu, shprehu bindjen se vizita e saj në Maqedoninë e Veriut do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe do ta forcojë partneritetin ndërmjet dy vendeve, duke e ngritur atë në një nivel më të lartë. Ajo theksoi se kjo vizitë konfirmon miqësinë, vlerat e përbashkëta dhe respektin reciprok mes dy kombeve.
DROUPADI MURMU, PRESIDENTE E INDISË
“Patëm një takim shumë produktiv me presidenten tuaj, si dhe bisedime në nivel delegacionesh. Gjatë takimeve u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe u shkëmbyen mendime mbi çështje rajonale dhe globale me interes të përbashkët. Synimi i të dy vendeve është promovimi i një shkëmbimi më intensiv tregtar dhe investimeve, si dhe inkurajimi i bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të biznesit”.
Po ashtu, Presidentja e Indisië tha se janë dakorduar që ta dyfishojnë tregtinë dypalëshe nga niveli aktual, duke shtuar se fokusi do të jetë në sektorët e teknologjisë së informacionit, bujqësisë, industrisë ushqimore, farmacisë, turizmit dhe kulturës. Përveç bashkëpunimit ekonomik, presidentja indiane paralajmëroi edhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, veçanërisht përmes promovimit të mjekësisë tradicionale, si dhe në industrinë kreative.
Samir Mustafa /SHENJA/