
Prindërit drejtuar politikanëve: Do digjeni në ferr!
AA
Prindërit nga Koçani, gjatë “Marshit të engjëjve” të mbajtur dje, si çdo të shtunë, u ndalën përpara komunës, ku pyetën pse nuk ishte i pranishëm kryetari i Komunës së Koçanit, Venko Krstevski, që t’u bashkohej.
Ndër të tjera, prindërit kërkuan që të ndalen manipulimet dhe tensionet politike në kurriz të tyre, duke theksuar se ata kërkojnë vetëm drejtësi për fëmijët e tyre.
Politikanët në Maqedoni morën një mesazh të ashpër nga prindërit, të cilët u thanë se “do digjen në ferr”.
Familjet e të ndjerëve nga Koçani i bënë thirrje kryeministrit Mickoski që të publikojë tërësisht incizimin nga takimi i mbajtur në Qeveri më 7 korrik 2025.
“Në emër të Shoqatës së Qytetarëve ‘16 Mars 2025’ – Koçani, reagojmë publikisht dhe kategorikisht mohojmë që prindërit po përhapin të pavërteta, siç është thënë në deklaratën tuaj në faqen zyrtare të internetit të Qeverisë së RMV-së. Në funksion të së vërtetës, ju rikujtojmë se më 07.07.2025 (e hënë), në orën 17:00, në kabinetin tuaj, është mbajtur një takim zyrtar mes jush dhe shumicës së prindërve të fëmijëve të ndjerë tragjikisht. Gjatë këtij takimi, e gjithë biseda është incizuar plotësisht nga ana juaj. Nëse vërtet qëndroni prapa fjalëve tuaja dhe besoni në transparencë e ndershmëri, ju ftojmë që lirshëm ta publikoni incizimin e plotë të atij takimi, që opinioni të bindet vetë për të vërtetën”, u shprehën ata. (INA)