Prizren: Arrestohen tre persona të një klinike mjekësore, bashkëpunuam me autoshkolla për certifikatë
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona pasi dyshohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Kjo pasi sipas policisë, dyshohet se zyrtarë të një klinike mjekësore me seli në Prizren kanë lëshuar cerrtifikata mjekësore për kandidatët të cilët e paraqesin provimin për patentë shofer, pa qenë fizikisht prezent në klinikë dhe pa ua bërë kontrollin mjekësor.
“Po ashtu, dyshohet se kjo klinikë bashkëpunon me dy auto-shkolla, njëra me seli në Prizren dhe tjetra me seli në Malishevë. Dyshohet se edhe auto-shkollat kanë lëshuar vërtetime për aftësimin e kandidatëve në pjesën teorike dhe praktike pa qenë kandidatët fare prezent në Kosovë”.
“Sot, më 18.01.2024, nën dyshimin e përfshirjes në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes se rreme, policia ka arrestuar tre të dyshuar: I.G., (viti i lindjes 1962, mashkull kosovar), U.M., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar) dhe L.B.., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar)”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, bëhet e ditur se personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.