
Prof. Bujamin Bela përfaqëson Universitetin “Nënë Tereza” në konferencën prestigjioze “Erasmus+” në Vienë
Nga data 14 deri më 16 maj 2025, në qytetin e Vjenës u mbajt konferenca ndërkombëtare “Erasmus+ Mobilities in Higher Education”, ku mori pjesë edhe Prof. Bujamin Bela, profesor në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje të nivelit të lartë vjen si dëshmi e angazhimit të tij të vazhdueshëm në fushën e arsimit të lartë dhe shkencës, si dhe e kontributit të çmuar të UNT-së në zhvillimin e politikave arsimore ndërkombëtare.
Gjatë konferencës, Prof. Bela mori pjesë aktive në panele tematike dhe grupe punuese që trajtonin barrierat individuale, institucionale dhe shtetërore në sistemin e arsimit të lartë, me fokus në mobilitetin akademik dhe hulumtues në kuadër të Bashkimit Evropian. Ai ndau përvoja dhe ide nga konteksti rajonal, duke kontribuar në mënyrë të dukshme në debatin ndërkombëtar për përmirësimin e qasjes, cilësisë dhe bashkëpunimit në arsimin e lartë.
Përvoja e tij në këtë konferencë shërben si frymëzim për përfshirje më të gjerë të komunitetit tonë akademik në fushat e inovacionit, shkencës, teknologjisë dhe inxhinierisë (STEM). Pjesëmarrje të tilla përforcojnë rolin e UNT-së si një institucion i përkushtuar ndaj ndërkombëtarizimit dhe ekselencës akademike.
Universiteti “Nënë Tereza” shpreh mirënjohjen për përfaqësimin dinjitoz të Prof. Bujamin Belës dhe i uron suksese të mëtejshme në angazhimet e tij profesionale dhe shkencore.