Prof. Dr. Vullnet Ameti kritikon draft-ligjin për Arsimin e Lartë: Ky është një sulm frontal ndaj autonomisë
Në një analizë që gërsheton filozofinë e lirisë me realitetin e hidhur të arsimit të lartë, ish-rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ka zbërthyer projekt-ligjin e ri për arsimin, duke e cilësuar atë jo si një dokument reformues, por si një “arkitekturë të varësisë” dhe centralizim të pastër politik.
Në vijim reagimi i plotë i Ametit:
“𝚀𝚞𝚘 𝚅𝚊𝚍𝚒𝚜 𝚄𝚗𝚒𝚟𝚎𝚛𝚜𝚒𝚝𝚊𝚜”
(disa shënime “mbi frymën e ligjit”)
Sikur Monteskie të ishte gjallë sot dhe të lexonte projekt-ligjin për arsimin e lartë, ai ndoshta nuk do të ndalej fillimisht te nenet, por te fryma.
Ai do të pyeste: çfarë raporti vendos ky ligj midis pushtetit dhe lirisë?
A e kufizon ai pushtetin, apo e shtrin atë?
Sepse, siç shkroi në De l’esprit des lois “Mbi frymën e ligjeve” (1748) liria nuk qëndron në ekzistencën e ligjeve, por në natyrën e tyre.
Sikur Monteskie të ishte dëshmitar i debatit tonë sot ai ndoshta do të paralajmëronte se kur ligji fillon të strukturojë dijen nga lart, kur standardi kthehet në instrument kontrolli atëherë fryma rrezikon të zbehet. Sepse ligji që nuk buron nga parimi i barazisë por nga nevoja për centralizim, e humb karakterin e tij çlirimtar.
Pyetja që ai do të na linte nuk do të ishte teknike, por thelbësore: a po e ndërtojmë ligjin si garanci të lirisë akademike, apo si arkitekturë të varësisë?
Dhe në këtë pyetje qëndron e gjithë pesha e debatit tonë.
Në këtë dilemë qëndron edhe dhimbja jonë: sepse çdo debat mbi ligjin nuk është normativ por ai prek dinjitetin, mendimin dhe autonominë tonë. Në fund, ky debat nuk është vetëm për ligjin dhe nenet por mbi frymën, është ajo e lirisë apo e kontrollit.
Shihet se debati mbi propozim-ligjin e ri të arsimit të lartë ka ndezur shqetësime të thella në botën akademike sepse çështja e ligjit nuk është vetëm teknike por prek raportin midis pushtetit, dijes dhe lirisë.
Tek “De l’esprit des lois” Monteskie theksonte se ligjet nuk mund të kuptohen të shkëputura nga “fryma” që i prodhon ato, nga struktura e pushtetit, nga zakonet, nga morali dhe nga parimet që mbajnë në këmbë një shoqëri.
Për të, ruajtja e lirisë varej nga balancimi i pushteteve dhe nga kufizimi i arbitraritetit. Kur një ligj cenon autonominë e një institucioni, ai nuk është më normë rregulluese por instrument përqendrimi dhe si për rrjedhojë aty ku pushteti përqendrohet, fryma e lirisë zbehet.
Ndërsa shumë shekuj më parë, Plato shtroi pyetjen themelore: a duhet ligji të pasqyrojë të vërtetën morale dhe drejtësinë, apo të shërbejë si mjet kontrolli?
Në “Republikën”, ai përfytyron një rend ideal ku drejtësia është harmoni midis pjesëve të shpirtit dhe të shtetit; në “Ligjet”, ai pranon nevojën e normave konkrete, por këmbëngul që ato duhet të mbrojnë lirinë si postulati më i lartë.
Nëse e vendosim debatin për arsimin e lartë në këtë horizont filozofik, pyetja thelbësore bëhet: a e ruan ky ligj frymën e autonomisë universitare si kusht i kërkimit të së vërtetës, apo e nënshtron universitetin ndaj logjikës së kontrollit politik?
Nëse ligji ndërhyn në mënyrë disproporcionale ai prek një parim që Monteskie do ta quante themelor për lirinë, ndërsa Platoni do ta gjykonte në raport me drejtësinë dhe të mirën e përbashkët. Sepse një ligj që dobëson institucionet e dijes rrezikon të dobësojë vetë kapacitetin e shoqërisë për të reflektuar mbi drejtësinë.
Prandaj, debati nuk është vetëm juridik apo administrativ por edhe filozofik: çfarë fryme duam të kenë ligjet tona?
A duam ligje që garantojnë autonominë si kusht të së vërtetës, apo ligje që e reduktojnë universitetin në një zgjatim të pushtetit ekzekutiv?
Në përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje fshihet jo vetëm e ardhmja e arsimit të lartë, por edhe cilësia e demokracisë sonë.
Propozim-Ligji i ri për arsimin e Lartë NUK reflekton frymën e shoqërisë dhe nuk është në harmoni me Kushtetutën, si lex superioris.
Në vend që të mbrojë autonominë universitare dhe të garantojë të drejtën për punë, ligji i përqendron vendimet tek qeveria dhe ministri, duke i kthyer universitetet nga partnerë të barabartë në subjekt të kontrollit administrativ.
– Kjo cenon parimin themelor kushtetues të autonomisë: “Kushtetuta garanton autonominë e universitetit (neni 46), duke u larguar nga fryma demokratike dhe dialogu social që duhet të karakterizojë arsimin e lartë.
– Centralizimi institucional është një nga efektet më të dukshme të këtij ligji. Neni 17 i Propozim-Ligjit vendos që statuti i universitetit të duhet të marrë miratimin e Qeverisë, ndërsa Neni 200 i jep ministrit kompetencën për të pezulluar akte kyçe të universiteteve kur dihet se themelues është Parlamenti i shtetit.
Kjo krijon një filtër administrativ dhe politik të panevojshëm, duke cenuar autonominë e brendshme të universiteteve dhe duke hapur rrugën për ndërhyrje arbitrare në vendimmarrjen akademike.
Universitetet nuk mund të marrin vendime për strukturat, programet ose aktet e veta themelore pa miratimin paraprak të pushtetit ekzekutiv, gjë që bie ndesh me traditën evropiane të lirisë akademike dhe parimet e Magna Charta Universitatum e cila nuk përjashton rolin e shtetit por e koncepton shtetin si garantues të autonomisë, jo si miratues paraprak të çdo akti universitar.
Projektligji, në formën aktuale, largohet nga ky model evropian duke vendosur filtra paraprakë ekzekutivë në vendimmarrjen akademike.
– Dispozitat e Nenit 63, që lidhen me pushimin e institucioneve, dhe të Nenit 164, që lidhen me rizgjedhjen e profesorëve, krijojnë hapësirë për ndërprerje automatike të marrëdhënieve të punës.
Indikatorë kuantitativë dhe pragje të rrepta për tituj akademikë mund të çojnë në largime të paarsyetuara të profesorëve, pa marrë parasysh kontributin real akademik apo ndikimin në cilësinë e mësimdhënies.
– Një tjetër problem i rëndësishëm lidhet me përqendrimin e studimeve doktorale. Neni 124 kufizon të drejtën për doktoraturë vetëm për universitete të rangut të lartë, me histori të gjatë dhe kushte kumulative, duke e përjashtuar shumicën e institucioneve më të reja.
– Autonomia financiare, një komponent kyç i autonomisë kushtetuese, gjithashtu vihet në rrezik. Neni 109 dhe 114 lejojnë Ministrinë e Financave dhe Qeverinë të ndërhyjnë në planet financiare dhe tarifat për studentët e pafinancuar, duke penguar universitetet të menaxhojnë në mënyrë të pavarur burimet e veta. Kjo krijon pasiguri në planifikim, investime dhe zhvillim programesh dhe i bën institucionet akademike më të varura nga buxheti i shtetit.
Në disa dispozita të Projektligjit parashikohet që anëtarët e trupave akademikë (si Këshilli Kombëtar, Konferenca Ndëruniversitare dhe organet e tjera profesionale) të propozohen nga Qeveria, edhe pse bëhet fjalë për përfaqësues nga radhët e profesorëve ose stafit akademik.
Vlerësojmë se kjo qasje normative, që nuk ka qenë përjashtim as në ligjet e mëparshme, është konceptualisht e papërshtatshme dhe potencialisht në kundërshtim me parimin e autonomisë universitare.
Stafi akademik është pjesë përbërëse e strukturës institucionale të universitetit dhe vetëm universitetet, përmes organeve të tyre, duhet të kenë të drejtë të propozojnë përfaqësuesit e tyre.
Propozimi nga ana e pushtetit ekzekutiv krijon përshtypjen e ndikimit politik mbi institucionet akademike dhe shkel ekuilibrin institucional midis autonomisë së universiteteve dhe kompetencave të shtetit. Prandaj propozojmë që të gjitha dispozitat në të cilat parashikohet që Qeveria të propozojë anëtarë nga radhët e stafit akademik të harmonizohen në mënyrë që propozimi të jetë në kompetencë të universiteteve, ndërsa roli i Qeverisë, nëse është i nevojshëm, të kufizohet në emërimin formal bazuar në propozimet e dorëzuara.
– Kështu, në nenin 43, paragrafi (1) pika 2, fjalët „me propozim të Qeverisë“ të zëvendësohen me „me propozim të universiteteve“.
Dhe në të gjitha dispozitat e Ligjit ku parashikohet që Qeveria të propozojë anëtarë nga radhët e stafit akademik, fjalët „me propozim të Qeverisë“ të zëvendësohen me „me propozim të universiteteve“.
Në të gjitha dispozitat analoge duhet të bëhet harmonizim i njëjtë.
Në praktikë, ligji, në këtë formë, është më shumë një mjet kontrolli sesa një instrument për rritjen dhe avancimin e arsimit të lartë.
Propozim-Ligji i ri për Arsimin e Lartë nuk është thjesht një dokument por sulm frontal ndaj autonomisë universitare. Godet rëndë frymën e shoqërisë, nuk respekton Kushtetutën, monopolizon vendimmarrjen, centralizon kompetencat dhe i lë organet akademike në një pasiguri permanente.
– Centralizimi i pushtetit dhe ndërhyrja arbitrare janë tiparet më problematike. Neni 17 dhe Neni 200 japin Qeverisë dhe ministrit të drejtën për të pezulluar statutin dhe akte të tjera universitare, duke anashkaluar organet akademike.
Kjo nuk është vetëm një shkelje e autonomisë por pushtet i tepruar që shkel parimin e barazisë para ligjit, duke vendosur universitetet nën kontroll të drejtpërdrejt politik. Universitetet nuk marrin më vendime për statusin e tyre, strukturën apo programet pa miratimin e ekzekutivit, duke shndërruar çdo vendim akademik në një lojë politike.
– Dispozitat për rizgjedhjen e profesorëve dhe avancimin akademik (Neni 161, 164) krijojnë presion të konsiderueshëm mbi stafin akademik, përmes vendosjes së kuotave dhe indikatorëve strikt kuantitativë, si h-index i detyruar dhe numër i përcaktuar publikimesh.
Ky ligj nuk garanton fillimin e garës nga pika zero për të gjitha universitetet. Ai vendos barriera artificiale që favorizojnë institucionet e mëdha dhe të konsoliduara, ndërkohë që universitetet e reja, fleksibile dhe shpesh më të afërta me nevojat e shoqërisë, mbeten prapa si maratonistë që duhet të kapërcejnë pengesa ekstra përpara se të fillojnë garën.
Në këtë dritë, Platoni do të kishte parë në këtë ligj një instrument të tiranisë së burokratëve mbi dijen, ndërsa Monteskie do të kishte denoncuar shkeljen e ndarjes së pushteteve dhe mbivendosjen e kontrollit ekzekutiv mbi institucionet autonome.
Ligji mbi të gjitha nuk është neutral por diskriminues. Për universitetet shqiptare, ky ligj është një garë ku nuk ka pikënisje të barabartë. Ai favorizon të fortin dhe të konsoliduarin, duke i lënë universitetet tjera kryesisht shqiptare të humbasin mundësinë për të kontribuar dhe zhvilluar, pra është një akt strukturalisht diskriminues.
Platoni do të kishte parë këtu një shoqëri që po shkatërron dritën e arsyes dhe dijes, një shoqëri ku pushteti vendos kush mund të mësojë dhe kush duhet të heshtë. Monteskie do të paralajmëronte se kur ekzekutivi merr kontroll mbi dijen dhe autonominë, liria shndërrohet në iluzion dhe çdo garanci demokratike thyhet.
Në këtë vend, maratona nuk fillon për të gjithë në pikën 0.
Disa universitete nisën me hapa të zvarritur dhe tani u imponohen kriteret e pamëshirshme të një gare që nuk mund ta përballojnë. Kjo është jo vetëm padrejtësi, por shkelje e rëndë e parimeve të barazisë, autonomisë dhe respektit për institucionet e dijes, duke i shndërruar ato në skenë të pabarazive dhe arbitraritetit në instancë të fundit të QËLLIMSHËM.
Dikur idetë e Michel Foucault më dukeshin abstrakte dhe i kam mohuar thellë. Sot, ndërsa shoh centralizimin, filtrat administrativë dhe presionin mbi universitetet, resonanca e tij me realitetin tonë është më e fuqishme se kurrë. Kishte të drejtë kur tha që: “Ku ka pushtet, ka edhe rezistencë” (Là où il y a pouvoir, il y a résistance).
Universiteti duhet të mbetet hapësira ku kjo rezistencë është e mundur: ku mendimi i lirë dhe kritika e konstruktuar e pushtetit mund të zhvillohen. Sot kuptoj thellësisht fjalët e tij: autonomia akademike është mburojë e domosdoshme për lirinë e mendimit dhe për të ardhmen e shoqërisë.
Universiteti duhet të mbetet hapësira ku kjo rezistencë duhet të ushqehet.
Në fund, nuk qëndron problemi te dispozita aq më pak te sanksioni por të FRYMA, pra debati nga dimensioni juridik ka kaluar në dimension ontologjik, debat mbi konceptin se çfarë koncepti kemi për arsimin e lartë dhe çfarë fryme duam të kenë institucionet e dijes.
Debati nuk zhvillohet në margjinat e një neni, por në thellësinë e një FRYME.
Prof. Dr. Vullnet Ameti