Prokuroria ka nisur hetim për autobusin që u përplas në rrethojën afër Mavrovkës
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur lëndë dhe po ndërmerr veprime për hetimin e ngjarjes në të cilën shoferi i autobusit të NTP Shkup më 8 korrik humbi kontrollin mbi automjetin e transportit publik, duke shkuar në të majtë dhe duke goditur rrethojën e betonit në bulevardin “Goce Dellçev”, pas çka shoferi i autobusit dhe dy pasagjerë janë evidentuar me lëndime trupore. Ky hetim shtë ngritur në bazë të një raporti me shkrim të dorëzuar nga MPB-SPB Shkup, Departamenti për hetimin e aksidenteve në komunikacion, transmeton Portalb.mk.
Prokurori publik kompetent do t’i hetojë edhe pretendimet e bëra përmes deklaratave të shprehura publikisht nga pjesëmarrësit në ngjarje dhe nga persona të tjerë që tregojnë kundërligjshmëri në punën e NTP Shkup, lidhur me parregullsinë dhe mirëmbajtjen e autobusit që e shkaktoi aksidentin.
“Për këtë qëllim është punësuar një person kopetent nga lëmia e inxhinierisë mekanike dhe është lëshuar urdhër për marrjen e masave MPB-Byroja për sigurinë publike për sigurimin e të dhënave dhe dokumentacionit nga NTP Shkup lidhur me mirëmbajtjen, servisimin dhe rregullsinë e autobus, si dhe organizimi i procesit të punës . Sipas urdhrit, në prani të ekspertit do të kontrollohet korrektësia e autobusit. Janë dhënë udhëzime për të zhvilluar biseda me persona që kanë dijeni për ngjarjen”, thonë nga Prokuroria.
Kujtojmë se pas aksidentit, shoferi i po të njëjtit autobus, Ferzi Arifi, tha se iu japin të vozisin autobusë me defekt, prandaj edhe ndodhi incident.
“Kam qenë gjithë jetën në NTP, këtu dhe në rrugët e Shkupit më janë zbardhur flokët. Në itinerarin nga linja 2 njoh çdo gropë dhe nuk është e mundur të më ndodhë diçka e tillë. Mu bllokua timoni, më vjen keq për udhëtarët që duhet të hipin në autobusë të tillë me defekt”, ka thënë Arifi.