Pronari me origjinë shqiptare i dronëve “Bayraktar” zbarkon në Prishtinë
Bashkëpronai apo CEO i kompanisë së njohur të prodhimit të dronëve Baykar, Haluk Bayraktar, i cili ka origjinë shqiptare, ka qëndruar mbrëmë në Prishtinë, ku është takuar me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në prag të ndeshjes mes Kosovës dhe Turqisë, përcjell INA.
Takimi u zhvillua në stadiumin Fadil Vokrri Stadium, ku të dy ndoqën nga afër atmosferën para një përballjeje të rëndësishme ndërkombëtare.
“Sonte me mikun tim Haluk Bayraktar, CEO të kompanisë Baykar që është simbol i inovacionit modern, u takuam për të parë nga afër zhvillimet në një tjetër fushë, atë të futbollit, ku lojtarët e Kosovës dhe Turqisë do të marrin rolin e protagonistëve,” deklaroi Maqedonci.
Ai bëri një krahasim mes teknologjisë së avancuar dhe lojës në fushë, duke theksuar se, ashtu si dronët që operojnë me saktësi të lartë, edhe futbollistët synojnë efikasitet maksimal në çdo aksion.
“Ashtu si dronët që synojnë me saktësi, edhe sulmuesit e të dyja ekipeve do të kërkojnë të godasin portën me vendosmëri, duke e kthyer ndeshjen në një duel të fortë, por të ndershëm,” shtoi ai.
Ministri kosovar vuri në pah edhe dimensionin ndërkombëtar të kësaj sfide, duke e cilësuar atë si më shumë se një ndeshje për pikë.
“Kjo ndeshje nuk është vetëm një sfidë sportive, por edhe një festë e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë mes dy popujve. Në fund, le të fitojë përfaqësuesja më e mirë dhe mbi të gjitha, le të triumfojë sporti,” theksoi Maqedonci.(INA)