Pse infertiliteti mashkullor është problem në rritje?
Nëse sperma e një burri është në sasi më të vogël, kur numri i spermatozoideve, lëvizshmëria, morfologjia ose që të trija së bashku kanë probleme, atëherë do të ketë vështirësi në arritjen e shtatzënisë rrjedhimisht edhe diagnostikohet me problem infertiliteti
Dr. Mentor Spahiu
Endokrinolog/androlog
049 993 311
Mendohet një në shtatë çifte kanë vështirësi për të arritur shtatzëninë, ndërsa infertiliteti mashkullor është përgjegjës për afro 50 përqind të rasteve.
Kur mjekët kërkojnë ta identifikojnë infertilitetin mashkullor ata analizojnë një mostër të spermës duke kërkuar të dhëna mbi vëllimin, lëvizshmërinë dhe numrin e spermatozoideve në formë tipike, ndonjëherë mjeku androlog kërkon edhe testimin e hormoneve mashkullore.
Studimet flasin që në rastet e infertilitetit tëe pashpjegueshëm kjo mund të jetë edhe si pasojë e rregullimeve gjenetike ose të ndonjë sëmundje të mëhershme. Por, gjithashtu hulumtimet tregojnë se një ndikim të madh në paraqitjen e infertilitetit mashkullor ka edhe mënyra e jetesës.
Puna në zyrë, ushqimi i procesuar, vendimi për t’u bërë prindër në moshë më të shtyrë dhe ekspozimi ndaj materieve të dëmshme si produktet plastike, ia pamundësojnë spermatozoideve të fekondojnë qelizën vezë.
Pesha trupore dhe shpërndarja e yndyrës ndikojnë drejtpërdrejt në paraqitjen e problemeve me infertilitet, ndërsa burrat që kanë aktivitet fizik përveç shëndetit të përgjithshëm kanë edhe shëndet më të mirë riprodhues.
Është shumë e rëndësishme që të ushqeheni shëndetshëm, të konsumoni më shumë çaj të gjelbër sesa kafe dhe të konsumoni ushqime me yndyra të shëndetshme dhe të ulni konsumin e sheqernave.
Mjeku androlog gjithmonë do të këshillojë pacientët që të heqin dorë nga alkooli dhe konsumimi i duhanit.
Gjithashtu mjeku androlog do ju rekomandojë të bëni dush me ujë më të ftohtë, sepse ekspertët kanë vërejtur që nxehtësia ndikon negativisht në cilësinë e spermës, ndërsa burrat që për gjashtë muaj kanë bërë dush të ftohtë kanë raportuar për një përmirësim në cilësinë e spermës, sigurisht bashkë me trajtimin e përshkruar nga mjeku.
Kur një çift përballet me infertilitetin mashkullor, është me rëndësi që përkrahja e partneres të mos mungojë, sepse ngarkesa psikike mund të vonojë rezultatin pozitiv për të cilin duhet të punohet si një ekip, mjeku me pacientin dhe partneren. /Telegrafi/