Pse Kosova sfidon SHBA-në duke vazhduar tregtinë me Iranin?
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se vendet që bëjnë biznes me Iranin do të përballen me një tarifë prej 25 për qind për tregtinë që bëjnë me SHBA-në. Ky vendim vjen në kohën kur Irani po shtyp me forcë protestat antiqeveritare, në të cilat dyshohet se janë vrarë mijëra persona. Por, çfarë do të thotë kjo për Kosovën, e cila importon disa produkte nga Irani?
Ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve në vend presin që efektet të jenë minimale, pasi shkëmbimet tregtare me Iranin janë të vogla dhe përbëjnë një pjesë të papërfillshme të ekonomisë kosovare. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vitin e kaluar vlera e importeve nga Irani arriti në 17 milionë euro, ndërsa eksporte nuk u regjistruan. Megjithatë, kjo shifër thuajse është dyfishuar krahasuar me pesë vjet më parë.
Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT) bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në këtë institucion janë të regjistruara 23 biznese nga Irani; 5 prej tyre janë aktive, 16 pasive dhe dy të shuara. REL-i kërkoi shpjegime për veprimtaritë që ushtrojnë ato dhe është ende në pritje të përgjigjes.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, shpreh bindjen se politikat e Trump, sidomos sanksionet ekonomike, nuk e godasin drejtpërdrejt ekonominë e Kosovës. “Eksportet dhe importet Kosovë-Iran janë të papërfillshme, nuk ka investime iraniane në Kosovë dhe Kosova nuk ka varësi energjetike apo financiare nga Irani” – tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin. Ekonomia e tij është dëmtuar rëndë si pasojë e keqmenaxhimit të financave publike gjatë viteve, rënies së të ardhurave nga shitjet e naftës dhe sanksioneve të ashpra ndërkombëtare.
Kjo ka shkaktuar rritje të çmimeve dhe dobësim të monedhës vendase, duke nxitur protesta masive, të cilat vlerësohen si kërcënimi më i madh për regjimin islamik në dekadat e fundit.
Sytrime Dervisholli, ish-drejtoreshë e Departamentit të Tregtisë në MINT, shpjegon se tarifa e re prej 25 për qind do të bëjë që produktet iraniane të jenë më të shtrenjta. Megjithatë, për shkak të volumit të vogël të importit dhe natyrës joesenciale të këtyre produkteve, kompanitë kosovare mund të orientohen drejt tregjeve të tjera, më afër gjeografikisht, shton ajo.
“Nuk mund të them me siguri se cili do të jetë efekti i plotë i këtij vendimi, pasi ende nuk ka sqarime të detajuara mbi mënyrën e zbatimit dhe mbi atë se cilat produkte mund të përjashtohen nga ky vendim. Është më mirë të presim në ditët në vazhdim për informacionin zyrtar që Shtetet e Bashkuara do të publikojnë mbi mekanizmat e zbatimit të këtij vendimi” – thotë Dervisholli për Radion Evropa e Lirë.
Çfarë tha Trump?
Në një postim në platformën Truth Social të hënën, Trump shkroi: “Me efekt të menjëhershëm, çdo vend që bën biznes me Iranin do të paguajë një tarifë prej 25 për qind për të gjithë biznesin që kryhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky urdhër është përfundimtar dhe i pakthyeshëm. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje”.
Presidenti nuk dha detaje përtej këtij njoftimi. Irani është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Ekspertët në Kosovë paralajmërojnë se nëse kriza në Iran zgjat, ajo mund të ketë ndikime të tërthorta edhe në ekonominë kosovare. Një nga efektet më të mundshme është rritja e çmimeve globale të naftës dhe energjisë – e ngjashme me pasojat që pati lufta në Ukrainë në tregjet ndërkombëtare.
Rafuna thotë se kjo mund të çojë në karburante më të shtrenjta për qytetarët, rritje të kostove të transportit që ndikon në zinxhirin e furnizimit, si dhe presion shtesë mbi inflacionin – sidomos te produktet elementare. Kosova, përndryshe, importon shumicën e produkteve, nga ushqimet deri te materiali ndërtimor dhe tekstili. Vitin e kaluar, vlera totale e importit arriti mbi 7 miliardë euro.
Ndërkohë që nga shtatori i vitit 2022, Shqipëria i ka ndërprerë plotësisht marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Shkak për këtë u bënë sulmet e rënda kibernetike që përjetoi sistemi digjital i vendit në korrik të po atij viti, për të cilat, pas një hetimi të hollësishëm, shërbimet sekrete të SHBA-së bënë përgjegjës Iranin.
Rreziku i prishjes së marrëdhënieve të qeverisë Kurti me SHBA-në
Përtej ndikimit ekonomik, vazhdimi i tregtisë me Iranin, qoftë edhe në nivele simbolike, rrezikon të thellojë hendekun diplomatik mes qeverisë së Albin Kurtit dhe administratës amerikane. Në një kohë kur Washingtoni po aplikon një politikë të “presionit maksimal” ndaj Teheranit, çdo ngurrim i Prishtinës për t’u rreshtuar plotësisht me sanksionet e SHBA-së mund të interpretohet si mungesë lojaliteti strategjik.
Pas tensioneve të mëparshme për çështje të koordinimit në veri të vendit dhe dialogun me Serbinë, një mospërputhje e re në politikën e jashtme lidhur me Iranin do t’i jepte argumente kritikëve se qeveria Kurti po ndjek një kurs izolacionist.
Kjo ftohje e raporteve mund të rezultojë në reduktimin e mbështetjes amerikane në proceset e integrimit ndërkombëtar dhe në sigurinë kombëtare, duke e lënë Kosovën të ekspozuar në një terren gjeopolitik gjithnjë e më të pasigurt./tesheshi.com/