
“Pse ky insistim i panevojshëm?” – Zyra e Kryeministrit tenton të arsyetojë shpërfilljen e tij ndaj sistemit të drejtësisë

Zyra e Kryeministrit sërish ka reaguar lidhur me çështjen e dëshmisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Prokurorinë Speciale, të cilën ka refuzuar ta japë të hënën siç e kishte urdhëruar gjykata.
Në një njoftim për mediat, zyra e kryeministrit sqaroi se mosprezenca e Kurtit në gjykatë nuk ka qenë për shkak të mungesës së vëmendjes, por si një respekt për procesin ligjor që duhet të zhvillohet pa ndikime politike.
Sipas zyrës, Kryeministri ka ofruar bashkëpunim të plotë dhe ka qenë gjithmonë i gatshëm të dëshmojë për çështjen e rezervave shtetërore.
Ata theksuan se në shumë demokraci, përfshirë ato perëndimore, është praktikë që zyrtarët e lartë të japin dëshminë nga zyra e tyre për të shmangur politizimin e proceseve ligjore, një praktike që është zbatuar edhe në Kosovë.
“Në të gjitha demokracitë e zhvilluara, përfshirë ShBA-në dhe Francën, është praktikë standarde që zyrtarët e lartë të shtetit të dëshmojnë nga zyrat e tyre, për të ruajtur diskrecionin dhe për të shmangur politizimin e proceseve ligjore. I njëjti parim është zbatuar edhe në Kosovë, së paku në rastin e dy ish-kryeministrave dhe madje te zëvendëskryeministri aktual! Atëherë, pse në këtë rast po bëhet përjashtim? Pse ky insistim i panevojshëm për një formalitet procedural që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes?“, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.
Sipas tyre përpjekjet për të politizuar çështjen dhe për të keqpërdorur proceset gjyqësore për përfitime politike janë të papranueshme.
“Kryeministri vazhdon të jetë i gatshëm të dëshmoj – sa më shpejtë, aq më mirë, për qëllime të drejtësisë e respektimit të institucioneve. Qeveria jonë ka sjellë reforma të mëdha, veçanërisht në transparencën qeveritare dhe luftën kundër korrupsionit, të cilat janë njohur dhe vlerësuar nga organizata të pavarura ndërkombëtare si Transparency International. Ne mbështesim fuqishëm pavarësinë e sistemit gjyqësor, por refuzojmë përdorimin e tij si një mjet për përfitime politike“.
Po ashtu, Zyra e Kryeministrit përmendi përpjekjet e vazhdueshme sipas tyre për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar transparencën në qeverisje.