PSZH dhe Real Madridi në “duel” për 18-vjeçarin e Lille-s
Pasi shiti Tiago Djaló te Juventusi, Lille mund të “humbasë” një tjetër futbollist, ndoshta që në janar. Bëhet fjalë për mbrojtësin Leni Joro-n, që po monitorohet nga PSZH dhe Real Madridi.
Madje Luis Kampos, drejtues i lartë te skuadra pariziene, po tenton ta marrë në ditët e mbetura të merkatos dimërore (është konfirmuar mungesa e Shkriniarit për shkak të lëndimit deri në fund të sezonit).
Presidenti i Lille-s ka garantuar se nuk do të largohet më asnjë lojtar i rëndësishëm në këtë merkato dimërore, por sipas shtypit francez, një propozim prej 50 milionë eurosh mund të ndryshojë mendjen e kreut të skuadrës që renditet e pesta në Ligue 1.
Këtë sezon, 18-vjeçari është aktivizuar në 24 ndeshje, praktikisht të gjitha si titullar dhe gjithashtu ka shënuar tre gola, dy prej tyre në kampionat.