PSZH do të ndahet në mënyrë “paqësore” me Kilian Mbapen
Paris Sen Zhermeni thuhet se është dorëzuar për largimin e yllit të tyre, Kilian Mbappe dhe nuk pritet të ‘bëjnë zhurmë’. Sipas mediumit “El Chiringuito”, PSZH e konsideron Mbappen një kauzë të humbur, pasi tani ka pak ose zero shpresë që ai do të vazhdojë kontratën e tij me klubin parisien.
Si rezultat, parisienët tani po planifikojnë një largim paqësor për lojtarin e tyre më të mirë në verën e vitit 2024. Kjo do të bëjë që PSZH të shmangë pagesën e lojtarit për një bonus të madh besnikërie deri në mes të vitit. Mbape tashmë doli për të konfirmuar se ka një marrëveshjen zotërinjsh me PSZH-në që mbron klubin francez financiarisht nëse ai largohet. Raportet thonë se e kishte fjalën për bonusin e besnikërisë prej 70-80 milionë euro.
Sipas burimeve në Spanjë, Mbappe tashmë ka marrë vendimin e tij për t’u bashkuar me Real Madridin, por ende nuk e ka konfirmuar atë publikisht. Real Madridi ka bërë përpjekje të shumta për të nënshkruar me Mbapen që nga viti 2021. Ata u përpoqën maksimumin në vitin 2022 kur kontrata e tij mbaroi në Paris, por ai i befasoi të gjithë duke e zgjatur edhe për dy vite të tjera.
Megjithatë, duket e qartë që Mbappe do të transferohet te Real Madrid dhe të arrijë ‘ëndrrën e tij’ për të luajtur për klubin më të madh në botë.