PSZH kërkon De Light-in, gati të ofrojë Mukielen dhe të holla
E ardhmja e Matijs de Ligt vazhdon të jetë e paqartë, nëse do të mbetet te Bajern Munihu apo do të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit. Qendërmbrojtësi holandez nuk ka qenë shumë i preferuar nga Tomas Tushel dhe largimi nga “Allianz Arena” është mëse i mundshëm në ditët e fundit të janarit.
Mediumi francez “RMC Sport” ka raportuar se Paris Sen Zhermeni ka shprehur interesim për transferimin e holandezit në “Parc de Princes” dhe po përgatitë një ofertë për të.
Bavarezët janë interesuar për Nordi Mukielen, derisa PSZH është e gatshme ta ofrojë mbrojtësin francez si dhe një shumë të konsiderueshme të parave për të arritur te De Ligt. Vet qendërmbrojtësi holandez është i hapur për një kalim në “Parc de Princes” ku do të kishte më shumë hapësira në mënyrë që të ketë një vend në “Euro 2024” me Kombëtaren e Holandës.
Në ditët e fundit të afatit kalimtar të janarit, PSZH pritet të dalë me një ofertë zyrtare në drejtim të bavarezëve për transferimin e De Ligt. 24-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar vetëm 14 ndeshje me Bajernin dhe ka shënuar një gol.