Publikohen pamje, nënkryetarja serbe e Lulzim Hetemit konsumon substanca narkotike në objekt të komunës
Dragana Miletiq e njohur me nofkën ‘Beba’ është nënkryetare e komunës së Leposaviqit.
Që nga atëherë, ajo ka shërbyer në objektin e komunës bashkë me një staf serbësh e shqiptarësh, të udhëhequr nga Lulzim Hetemi, kryetar i komunës.
Megjithatë, që nga koha kur nisi detyrën, nënkryetarja e komunës duket se nuk ka funksionuar krejt në përputhje me ligjin.
Madje, është përfshirë në veprimtari ilegale e vepra penale të dënuara me ligjet e Kosovës.
Gazeta Nacionale ka siguruar disa video-incizime ku nënkryetarja e komunës, Dragana Miletiq, shihet duke konsumuar lëndë narkotike.
Njëra prej videoeve duket të jetë realizuar në një nga banjot e objektit të komunës së Leposaviqit.
E në një tjetër video nënkryetarja e Leposaviqit shihet teksa konsumon drogë në zyrët e komunës, bashkë me një tjetër punëtor.
Nacionale ka kontaktuar edhe me nënkryetaren e komunës, Miletiq, për të marrë një qëndrim nga ajo për këto video-incizime. Ajo nuk ka folur direkt për përmbajtjen, por e ka akuzuar Listën Serbe.
“Të rreme. Të gjitha këto janë të shpikura prej qytetarësh të Listës Serbe për të kërcënuar emrin dhe pozitën time në Komunë (të Leposaviqit), si dhe punëtorët në Komunë të Leposaviqit”, ka thënë nënkryetarja e Leposaviqit për Nacionalen.
“Nuk është e vërtetë. Që nga fillimi i përfshirjes sime në këtë vend (në Komunë) ata kanë thurrur tregime të ndryshme vetëm për të më rrënuar mua, dhe veturës sime ia vunë flakën. Është e pabesueshme se sa presion kanë bërë mbi mua dhe emrin tim. Por, do të luftoj gjer në fund. S’më frikësojnë”, tha ajo.