Publikohet patenta e parë ndërkombëtare e UNT-së – “NET-SENTINEL”, inovacion në inteligjencë artificiale dhe siguri kibernetike
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup shënon një arritje të rëndësishme në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit teknologjik. Aplikimi për patentë i inovacionit “NET-SENTINEL”, me aplikues dhe autor të parë shpikës Rektorin e UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, është publikuar zyrtarisht më 21 gusht 2026 në Indi, me numër aplikimi 202641095582 A.
“NET-SENTINEL” është një zgjidhje teknologjike e bazuar në inteligjencë artificiale, e konceptuar për të rritur sigurinë e përdoruesve gjatë shfletimit në internet dhe për të identifikuar në kohë reale aktivitete të pazakonta apo lidhje potencialisht të dyshimta.
Aplikues dhe autori i parë shpikës i sistemit është Prof. Dr. Bekim Fetaji, Rektor i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe profesor në Fakultetin e Shkencave Informatike. Në ekipin e shpikësve bëjnë pjesë gjithashtu Suplar Kanti Podder, Gurunath R, Irsa Doci dhe Debabrata Samantha.
Çfarë është “NET-SENTINEL”?
“NET-SENTINEL” është një shtojcë funksionale e inteligjencës artificiale për shfletuesin Google Chrome, e zhvilluar sipas standardit Manifest V3 dhe e orientuar drejt forcimit të sigurisë kibernetike.
Sistemi përdor teknika të mësimit makinerik (Machine Learning) për të analizuar aktivitetin e rrjetit dhe për të mësuar modelet normale të sjelljes së përdoruesit. Në bazë të këtyre modeleve, teknologjia mund të evidentojë në kohë reale devijime, sjellje të pazakonta dhe lidhje që mund të konsiderohen të dyshimta.
Në aspektin teknik, zgjidhja kombinon një detektor statistikor adaptiv me një model kompakt Isolation Forest, duke mundësuar identifikimin e anomalive pa kërkuar sisteme të rënda infrastrukturore.
Një veçori tjetër e “NET-SENTINEL” është gjenerimi i paralajmërimeve të shpjegueshme për përdoruesin. Sistemi përshtat pragun e zbulimit në bazë të sjelljes së përdoruesit, ndërsa të dhënat ruhen lokalisht në pajisje.
Arritje për UNT-në dhe kërkimin shkencor
Publikimi i aplikimit për patentë përbën një rezultat të rëndësishëm në veprimtarinë shkencore dhe teknologjike të Prof. Dr. Bekim Fetajit dhe ekipit të shpikësve, si dhe një arritje për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.
Ky zhvillim përforcon orientimin e universitetit drejt kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit të zgjidhjeve bashkëkohore në fusha me rëndësi globale, si inteligjenca artificiale, mësimi makinerik dhe siguria kibernetike.
Universiteti “Nënë Tereza” ka përgëzuar Prof. Dr. Bekim Fetajin dhe ekipin e shpikësve për arritjen shkencore dhe teknologjike, duke e vlerësuar publikimin e “NET-SENTINEL” si një hap të rëndësishëm në afirmimin e potencialit kërkimor dhe inovativ të institucionit në arenën ndërkombëtare.
