Pulishiç: Kishim fat, por me rëndësi ishte fitorja
Pasi ishte më i miri në fushë kundër Slavias, Kristian Pulishiç u përsërit edhe kundër Empolit duke rrëmbyer çmimin në fjalë pasi shënoi golin e fitores së Milanit. Për të, tetë gola në këtë Serie A duke qenë vetëm një gol larg rekordit personal të regjistruar në sezonin 2019-20, kur me Çellsin shënonte nëntë herë në kampionat. Pikërisht numri 11 kuqezi ka komentuar edhe suksesin e skuadrës për mediat.
Tri pikë dhe gol. Jo keq, apo jo?
“Ndjesitë i kam të mira. Te goli pata pak fat megjithatë më vjen mirë që ndikoi për të marrë një fitore shumë të rëndësishme për rrugëtimin tonë.”
A ndiheni Pulishiçi më i mirë i karrierës?
“Ndihem në formë të shkëlqyer dhe ky moment është ndër më të mirët në karrierën time. Të gjithë më japin besim të madh: stafi, trajneri, shokët e skuadrës, tifozët, qyteti.”
Në dy raste ishit ju që nxorët topin jashtë pas dëmtimeve të rivalëve. Ju ndikoi episodi i javës së kaluar me Lacion?
“Një javë më parë, nuk pashë asgjë pas meje, thjesht vazhdova të luaja derisa gjërat dolën pak jashtë kontrollit. Nuk kisha ndërmend të bëja diçka të tillë. Kushdo që më njeh e di mirë këtë. Të tjerët mund të thonë çfarë të duan, por unë nuk kam asgjë.”