Pushteti i Bulliqit injoron ndërmarrjen publike, e shpërblen me tender kompaninë private të pronarit të afërm me VV’në

Afro para një viti ishte themeluar Ndërmarrja Publike “Eko Llapi”, por pushteti i Bulliqit përkundër kësaj, tenderin për “Mirëmbajtjen e rrugëve”, ia ka dhënë kompanisë private të Eljesah Podvoricës për më shumë se 200 mijë euro më të shtrenjtë se kompania më e lirë. Gazeta Insajderi ka raportuar edhe më herët për Eljesah Podvoricën, i cili është person i afërt me pushtetin. Nga komuna e Podujevës nuk kanë kthyer përgjigje.
Gazeta Insajderi
Komuna e Podujevës ka nënshkruar kontratën për “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve”.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 650 mijë euro.

Dy operatorë ekonomik kanë marrë pjesë në këtë tender, me një dallim bajagi të madh të ofertave.
Operatori i parë: Via Egnatia shpk NNSH Vaakal: Natyra, ka konkurruar me vlerën 330. 268.29 euro.
Dhe operatori i dytë: Eing Com shpk: EL Bau shpk- Dumosh Podujevë, ka konkurruar me vlerën 567. 492.12 euro.
Krahasuar me operatorin tjetër konkurrues, komuna ka zgjedhur fituese kompaninë me 237 mijë euro më të shtrenjtë.
Fitues i tenderit për “mirëmbajtjen e rrugëve gjatë verës dhe dimrit”, komuna e Podujevës e ka zgjedhur operatorin ekonomik me Eing Com shpk: EL Bau shpk- Dumosh Podujevë me çmim 567. 492.12 euro.

Por, pse nuk i është dhënë kontrata për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve, Ndërmarrjes Publike “EKO LLAPI”?
Komuna e Podujevës ka nënshkruar kontratë me një kompani private, edhe pse janë bërë pothuajse një vit që kur e ka themeluar Ndërmarrjen Publike “EKO LLAPI”, e cila kryen shërbimet për mirëmbajtjen e rrugëve.
Madje në postimin e komunës, të publikuar me 12 tetor 2023, thuhet se përmes kësaj ndërmarrje synojnë t’i përmirësojnë shërbimet dha ta ulin koston financiare të shpenzimeve në mirëmbajtjen e hapësirave publike.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua propozim vendimi për Themelimin e Ndërmarrjes Publike “EKO LLAPI”. Përmes ndërmarrjes së re publike synojmë t’i përmirësojmë shërbimet dhe të ulim koston financiare të shpenzimeve në mirëmbajtjen e hapësirave publike”, thuhej në njoftim,

Kompania fituese e këtij tenderi Eing Com shpk: EL Bau shpk- Dumosh Podujevë, me vlerën 567. 492.12 euro, është në pronësi të Eljesah Podvorica person i afërt me pushtetin.
Gazeta Insajderi ka raportuar disa herë, lidhur me tenderët që kompania e Podvoricës është zgjedhur fituese nga komuna e Podujevës.

Eljesah Podvorica, jo rrallë herë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari, Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.
Dyshja shihen në një fotografi në shoqëri edhe të disa personave për rreth.

Podvorica, gjithashtu në vitin 2019 ishte parë në shoqërinë e deputetit të VV-së, Nijazi Isakut.
“Në kafe me tre luftëtarët e lirisë. UÇK-së”, shkruhej në postim.

Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në Komunën e Podujevës, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk kemi marrë përgjigjje.
Lidhur me këtë tender ka reaguar edhe Asamblisti i LDK’së në Kuvendin Komunal-Podujevë, Ekrem Rrahmani. Ai madje e ka quajtur edhe hajni të radhës nënshkrimin e kësaj kontrate.
“Edhe një hajni e radhës, edhe pse është kontrata valide për këto punë edhe pse ka kontratë me kompaninë e pastrimit edhe pse u formu Eko Llapi për këto punë jepet tenderi 237 mijë euro më shtrejtë se kompania më e lirë”, ka shkruar Rrahmani.
Vlen të theksohet se kjo nuk është hera e parë që Bulliqi i shpërblen me tenderë dostat e tij.
Insajderi.org