![Qatip Osmani: Respektojmë kundërshtarin, por edhe ne kemi kualitet](https://shprehja.com/wp-content/uploads/2024/07/Qatip-Osmani-te-Struga-Trim-Lum.jpg)
Qatip Osmani: Respektojmë kundërshtarin, por edhe ne kemi kualitet
Kampioni i Maqedonisë, skuadra e Struga Trim Lum ka mbyllur përgatitjet në prag të sfidës së parë të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve, kur do të përballet me Sllovan Bratisllavën. Trajneri Qatip Osmani ka bërë një përmbledhje të gjitha asaj që ka ndodhur me ekipin gjatë fazës përgatitore, ku gjithashtu Struga Trim Lum zhvilloi edhe disa ndeshje kontrolluese. Ndeshja e parë kundër kampionëve sllovak, Struga Trim Lum do ta zhvillojë në transfertë më 10 korrik, në orën 19:00.
“Gjatë fazës përgatitore kundrejt stërvitjeve që kishim, ne kemi zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore, e ku për qëllim kishim përgatitjen fizike të skuadrës. Në përgjithësi jam i kënaqur nga angazhimi i futbollistëve si në seancat stërvitore, ashtu edhe në ndeshjet që kemi zhvilluar, ndaj mendoj se të gatshëm presim ndeshjen e parë me Sllovan Bratisllavën.”
“Jam i kënaqur me angazhimin si nga futbollistët e ri, ashtu edhe nga ato që veçmë i kemi pasur në skuadër. Sa u përket përforcimeve të reja, mund të them se jam shumë i kënaqur me angazhimin e tyre dhe dua të falënderojë kryesinë për këtë punë të shkëlqyer dhe mundësinë të punojmë me futbollistë profesionistë. Disave prej tyre ende ju nevojitet kohë, mirëpo në përgjithësi edhe ata me profesionalizmin që kanë në zemër, janë munduar në maksimum që të ambientohen me rrethin dhe skuadrën në përgjithësi, ashtu që mendoj se mund të arrijmë shumë gjëra të mira si skuadër.”
“Sigurisht që e kemi analizuar kundërshtarin, kemi informata edhe nga ndeshjet e tyre miqsore të këtij edicioni, të disa prej ndeshjeve nga sezoni i fundit në kampionat, por edhe sezonit të kaluar në Europë. Nuk duhet shumë fjalë harxhuar për kundërshtarin që kemi përballë, ata janë një skuadër shumë e mirë, një skuadër që gjithnjë luan në Europë, shumë herë kampion i Sllovakisë, megjithatë edhe neve kemi kualitetet tona, dhe përmes asaj që posedojmë dhe dimë ta bëjmë më së miri, do të mundohemi që në Bratisllavë të nxjerrim një rezultat pozitiv, që do na jepte më shumë shpresa për ndeshjen e kthimit këtu në Ohër.”
Ndeshjen në Ohër kundër Sllovan Bratisllava, kampioni i Maqedonisë do të zhvillojë më 17 korrik në orën 17:00.